Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaLekaj për rritjen e çmimeve: Qeveria po bën shaka me qytetarët

Lekaj për rritjen e çmimeve: Qeveria po bën shaka me qytetarët

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) akuzon kryeministrin Albin Kurti se po mashtron qytetarët kur deklaron se nuk ka përgjegjësi rreth rritjes së çmimeve. Ata i kujtojnë premtimet për heqjen e TVSH-së për artikujt e shportës. Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj, shprehet se Qeveria Kurti po gabon me gazsjellësin duke injoruar Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka vërejtje edhe rreth dialogut. Në intervistë për KosovaPress, Lekaj është optimist edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve ku pret fitore në komunat që janë në balotazh.

 

Duke rikthyer projeksioneve për rritjen ekonomike, Lekaj thotë se Qeveria Kurti po bënë shaka me qytetarët kur proklamon rritje prej 9 përqind dhe është inekzistente në mbështetje ndaj qytetarëve.

“Sa i përket politikave fiskale dhe ekonomike, Qeveria Kurti nuk ka treguar gatishmëri që të jetë në favor të qytetarëve. Ani pse në fushatë zgjedhore ka premtuar se do të ketë ulje të çmimeve sa i përket gjërave elementare që janë të domosdoshme. Këtë drejtim po shohim se aty ka ngritje, si vaji, buka dhe shumë artikuj të tjerë ushqimorë. Ne kemi ngecur shumë dhe është absurditet i madh që nga qeveria proklamohet se kemi ngritje ekonomike 9 përqind, ndërsa për çdo ditë po ngrihen çmimet. Mendoj se janë duke bërë pak shaka me qytetarët, pasi kur thonë se kemi ngritje 9 përqind, këta e krahasojnë ngritjen ekonomike me vitin paraprak që ka qenë viti më i vështirë global. Mendoj se vetëm është një mashtrim i radhës për qytetarët, pasi dita-ditës po dalin këto mashtrime në sipërfaqe. Këtë drejtim qeveria është inekzistente sa i përket ngritjes së çmimeve e pamë edhe deklaratën e kryeministrit Kurti se nuk janë fajtor. Pse atëherë keni thënë se do ta heqim TVSH-në sa i përket artikujve elementarë, ndërsa tani po heshtin. A nuk është mashtrim ky për qytetarët… Qeveria Kurti nuk po është e gatshme të ballafaqohet me realitetin, apo me qytetarët. Ka një ikje dhe shmangie ndaj kërkesave të qytetarëve”, thotë ai.

Duke iu rikthyer debatit për gazsjellësin, Lekaj shprehet se Qeveria e udhëhequr nga Kurti po bënë gabim të madh në refuzimin e gazsjellësit dhe po injoron Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sa i përket gazsjellësit, këtu është gabimi më i madh i Qeverisë Kurti. mendoj se nuk guxojmë të hedhim poshtë një mbështetje që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës, kemi injoruar ndihmën e ShBA-së, sa më parë që ne ta kuptojmë më mirë është për Kosovën. Nuk guxojmë të mendojmë ndryshe në këtë drejtim. Kosova duhet të jetë në miqësi të përhershme me SHBA-të, pasi drejtim tjetër nuk kemi. Është një injorancë e qeverisë Kurti ndaj asaj që po e ofron SHBA-të. Në këtë drejtim ne do të bëjmë më të mirën të mundshme që kjo mos të ndodh”, shton Lekaj.

Kritik të madhe, Lekaj ka edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideron se ka rrëshqitur në dialog teknik.

“Ajo çfarë po vërejmë është një rrëshqitje nga dialogu politik në dialog teknik. Kjo është një prolongim i asaj që askush se kemi pritur nga Qeveria Kurti. Ju i patë edhe aksionet në veri dhe prapë ulja në tavolinë për targa. Favori që iu bë qytetarëve serb që të kenë të drejtë të regjistrohen në komunat e Serbisë. Kjo e kthen prapa në kohën e UNMIK ut Kosovën, prandaj ne nuk duhet të rrëshqasim në këtë drejtim, apo të rrëshqasim mos e dashtë zoti të ndodhte që ne të kemi në tavolinë edhe veriun e Kosovës”, thekson ai.

Lekaj, i cili është edhe deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se në zgjedhjet lokale kanë marrë 25 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai për KosovaPress thotë se s’kanë vija të kuqe për asnjë parti për balotazhet e 14 nëntorit.

“AAK-ja në këto zgjedhje ka dalë mirë dhe sipas parashikimeve. Ne çdo herë e kemi potencuar që gjashtë komunat që i kemi do t’i ruajmë. Dy i kemi fituar pa balotazh, ndërsa katër të tjera jemi në balotazh, sidomos edhe me Istogun që për neve është garë e vështirë, por shpresoj që do t’ia dalim. Në përgjithësi, AAK-ja ka mbi 25 mijë vota më shumë në votën e përgjithshme, ne jemi mjaft të kënaqur. Krahasuar me 14 shkurtin ne kemi rritje mjaftë të lartë, diku 6 përqind… Sa i përket AAK-së nuk kemi vija të kuqe, ne e kemi thënë çdo herë që jemi parti që bëjmë garë politike, por nuk jemi në armiqësi njëra me tjetrën. Shpresoj që kjo do të ndikojë edhe në balotazh”, u shpreh Lekaj.

Ditëve të fundit ka qenë edhe një debat në lidhje me atë nëse po e mbështet ose jo Ardian Gjinin në kandidaturën e këtij të fundit për një mandat të dytë në Gjakovë. Ai tha se përkrah kryetarin aktual të Gjakovës dhe se nuk qëndron fakti që në raundin e parë ka mbështetur kandidatin për kryetar të PSHDK-së.

“Sa i përket Gjakovës, gara është e përfunduar, diferenca është diku 9 përqind. Me punën që është bërë në Gjakovë nga kryetari aktual gara është e mbyllur dhe Gjini do të jetë sërish kryetar i Gjakovës… Unë jam Aleancë dhe jam nënkryetar i AAK-së, si mund të punohet kundër subjektit dhe familjes politike për të cilën mjaft kam punuar. Dy mandate kam qenë kryetar i komunës së Gjakovës dhe pozita të larta. Këtë drejtim të mendohet ndryshe është e pakuptimtë. Është e vërtet që me PSHDK-në kemi raporte të mira, por nuk do të thotë që emri im të jem PSHDK, larg asaj. Pasi unë nuk kam menduar asnjëherë që ajo është parti fetare dhe nuk guxojmë të mendojmë, pasi është subjekt politik”, deklaron Lekaj.

Përpos në Gjakovë, Aleanca është në balotazh edhe në komunën e Istogut, Rahovecit, Klinës dhe të Junikut. Ndërsa në raundin e parë e kanë fituar komunën e Deçanit dhe atë të Suharekës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments