Emisari i Bashkimit Europian pë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, thotë se po i ndjek zhvillimet në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ta larguar përdorimin e dinarit serb në vend.

Në një përmbledhje që ia bëri aktiviteteve të tij javën që shkoi, Lajçak shkroi se pati “një javë produktive”.

“Javën e kaluar, nisa një udhëtim në Beograd dhe Prishtinë për të diskutuar gjendjen aktuale dhe hapat e ardhshëm në Dialog me partnerët e mi. Duke filluar nga Beogradi, u takova me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq. Në vazhdim të udhëtimit tim në Kosovë, u takova me Presidenten Vjosa Osmani për ta informuar për Dialogun, si dhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi. Natyrisht, kemi diskutuar për Dialogun dhe kemi folur edhe për gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Kosovë”, shkroi Lajçak në Facebook.

Ai tha se pati “biseda të thella” me Kurtin dhe Vuçiqit dhe se me ta i shprehën pritshmëritë se çfarë do të diskutohet dhe veprohet në muajt e ardhshëm në kuadër të dialogut.

“Unë po ndjek gjithashtu nga afër zhvillimet në lidhje me Rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, që veçanërisht ndikojnë te komunitetet serbe që jetojnë në Kosovë”, shkroi ndër tjerash Lajçak.