Kryesuesi i Kuvendit, Enver Hoxhaj nga radhët e PDK-së, ka thënë se për shkak të mungesës së kuorumit i mbetet tash Kryesisë së Kuvendit të vendosë se kur duhet të hidhet në votim teksti i projektrezolutës.
Paraprakisht tekstin e projektrezolutës në emër të grupit parlamentar të LDK-së e lexoi Hykmete Bajrami.
“Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt të cilit nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejt dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, tha Bajrami
Teskti i projektrezolutës:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të aktivizojë inspektoratin e tregut, kundër abuzimit me çmime.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të funksionalizojë sa më shpejt Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe të fillojë hetimet për marrëveshje të mundshme kartelë.
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë të përgatisë një pako fiskale, që redukton ose largon tërësisht akcizën dhe zvogëlon TVSH-në për naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm për bujqit, por edhe për qytetarët tanë transportuesit në vend, ndikimi i të cilëve për produkte e shërbime të tjera është tejet i lartë. Që të largojë TVSH-në për produkte bazë të shportës së konsumatorit, që të largojë TVSH-në për transportuesit dhe transportin e udhëtarëve.
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të përgatisë një pako ekonomike, që t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Nëse nuk ka mjete buxhetore të bëhet rishikimi i buxhetit sa më parë.
5. Kuvendi i Republikës së Kosovë, i kërkon Qeverisë që të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjatë, në kohë si këto, relacionet ndërkombëtarë janë tejet esenciale, andaj edhe kërkohet bashkëpunimi.
6.Kuvendi i republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të ofrojë një plan afatgjatë të papërballueshmerisë”.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme parlamentare për rritjen e çmimeve.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se për shkak të mungesës së deputetëve, seanca vazhdon më 16 mars. Në seancë kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.