Me 61 vota “për”, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për të siguruar mjetet financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.
Në këtë seancë kanë munguar deputetët e partive opozitare, të cilët nuk janë rikthyer në seancë pas përplasjeve që kanë ndodhur në pjesën e parë të kësaj seance.
Nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, tregoi se cilat janë rekomandimet të cilat si komision i kanë votuar me shumicë votash.
“NP KOSTT duhet të paraqesë para Komisionit funksional në baza mujore devijimet e energjisë elektrike në këto komuna Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për gjashtë muajt e ardhshëm duke filluar nga muaji prill 2021. 2. NP KOSTT të paraqesë në komisionin funksional shpenzimet e energjisë elektrike në baza mujore retroaktivisht prej 1 janar 2018 deri më 1 prill 2021. 3. NP KOSTT duhet të paraqes në komisionin funksional zgjidhje mujore për devijimin e energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. 4. Autorizohet NP KOSTT të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit sipas zgjedhjes së prezantuar dhe miratuar në komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga devidenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm. 5. Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda afatit 6 mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatorëve në katër komunat e Kosovës me energji elektrike”, tha ajo.
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se kësaj radhe kanë arritur të bëjnë një zgjedhje e cila do ta ketë koston më të ulët të mundshme.
Ajo tha se kërkojnë nga Qeveria të intensifikojë përpjekjet deri në arritjen e zgjidhjes së problemit 21 vjeçar.
“Kësaj radhe kemi arritur të bëjmë një zgjidhje e cila shpresojmë se do të ketë, e para koston më të ulët të mundshme dhe e dyta, të sanojë tashmë dëmet të cilat mund të jenë të parikuperueshme për KOSTT-in së pari dhe mbi të gjitha për Kosovën si shtet i pavarur tashmë në bllok rregullativ me Republikën e Shqipërisë… Çfarëdo devijimi dhe shmangie, humbje e mëtutjeshme e energjisë elektrike në veri mund të rrezikojë e para funksionimin e mëtutjeshëm të berzës dhe krijimin e berzës energjetike, e dyta anëtarësimin e Kosovës dhe e treta, mund të devijojë seriozisht mbarëvajtjen e sistemit në këtë rast humbjet dhe devijimet që shkaktohen në veriun e vendit në Evropën Kontinentale. Siç e tha nënkryetarja e Komisionit, rekomandimi parasheh që brenda gjashtë muajsh grupi punues i qeverisë të vije me zgjidhje në mënyrë që të evitohet dhe të mos kemi situata të njëjta në periudhat pasuese. Ajo çfarë është rekomanduar është që KOSTT të jetë përgjegjës për sigurimin e rrymës për faktin se KOSTT…Propozojmë që të miratohen këto rekomandime dhe natyrisht që kërkojmë nga Qeveria të intensifikojë përpjekjet deri në arritjen e zgjidhjes së problemit, problem ky 21 vjeçar të cilin deri më tani nuk ka arritur asnjë qeveri e Kosovës ta zgjidh”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se e kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje dhe se besojnë që brenda këtyre gjashtë muajve do të kenë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.
“E kemi marrë këtë çështje shumë seriozisht, jemi diskutuar me të gjitha, së pari institucionet kosovare si KOSTT, ZRRE, Departamenti i shërbimit civil brenda ministrisë për t’u siguruar që ne si palë kosovare e kemi një plan të qartë për hapat e mëtejmë. Gjatë javës tjetër do të riaktivizojmë grupin punues të udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë i cili do të përfshijë edhe palë të tjera të interesit siç janë KEDS, po edhe partnerët tanë ndërkombëtar të cilët kanë asistuar në të kaluarën në këtë çështje dhe do të vazhdojmë të na asistojnë edhe në të ardhmen. Ne jemi në rrugë të drejtë të zgjidhjes së këtij problemi[…]Besojmë që në fund të këtyre gjashtë muajve ne do të kemi një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të cilën për fat të keq nuk kemi pasur mundësi ta kemi që 20 vitet e kaluara”, tha ajo.