Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri Hekuran Murati duket se janë dorëzuar për mjetet vetanake të komunave. Kërkesa, që Kurti ua kërkoi në takim kryetarëve të komunave, tashmë është adresuar. Tash çdo gjë është në dorë të ekzekutivit. Nga LDK’ja presin që Qeveria shumë shpejt do ta iniciojë ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore, që do të zhbllokonte 37.5 milionët e komunave.
Kushti që Lidhja Demokratike e Kosovës i vendosi Qeverisë për t’ia votuar marrëveshjet ndërkombëtare, ka bërë që kryeministri Albin Kurti dhe Ministri Hekuran Murati t’i përvjelin mëngët për të gjetur zgjidhje.
LDK’ja ka bërë me dije se s’do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, pa u zhbllokuar mjetet vetanake të komunave, që kapin vlerën 37.5 milionë euro.
Për punën e këtyre mjeteve dhe çështje të tjera, Kurti i ka mbledhur në takim para dy ditësh kryetarët e komunave. Atyre u ka kërkuar që të adresojnë një kërkesë te niveli qendror zhbllokimin e mjeteve, e cila është adresuar dje. Tani, çështja është në dorë të ekzekutivit.
“Amandamenti që keni ba ju është gabim. Nëse kërkohet nga Grupi Parlamentar i LDK’së që unë si Ministër ta korrigjoj atë gabim që e keni ba ju, unë e bëj. Mirëpo, duhet të vijë kërkesa nga ju”, kishte deklaruar Murati në një seancë të Kuvendit.
Edhe Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i kishte kërkuar LDK’së që të iniciojë kërkesë, duke i thënë se do ta mbështesin.
Por, kjo parti duket se nuk e ka ndërmend ta bëj një kërkesë të tillë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, i ka thënë Gazetës Express se ky është i vetmi ligj që duhet të iniciohet nga Qeveria. Ai pret që kjo të ndodhë shumë shpejt.
“Ligji për Ndarjet Buxhetore është i vetmi ligj i cili duhet të inicohet nga Qeveria. Pres që Qeveria shumë shpejt do ta iniciojë”, ka thënë Gashi.
Gazeta Express ka pyetur Qeverinë nëse do të iniciojë plotësim/ndryshimin e Ligjit, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.
Herën e fundit kur Ministri Murati ka folur lidhur me bllokimin e këtyre mjeteve, ai ka thënë se vetëm po e zbaton Ligjin që është miratuar në këtë Kuvend.
Për këtë situatë, ai e ka fajësuar LDK’në.
“Kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet se të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak, barten në vitin vijues. Kjo gjë pastaj rregullohet edhe me Nenin 9, paragrafi 6 të Ligjit për Buxhetin, i cili e thotë të njëjtën gjë, pra që të hyrat vetanake nga viti 2022, barten në vitin 2023 dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Madje, nëse se u kujtohet, ka qenë pikërisht ky Nen, pra Neni 9, paragrafi 6 që është amandamentuar nga Grupi Parlamentar i LDK’së dhe është votuar edhe nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosje , dmth ka qenë një konsesnus sa i përket atij amandamenti. Pra Ligji për Buxhetin e parasheh këtë gjë që po e thotë deputeti Tahiri dhe ne po e zbatojmë Ligjin që e keni miratuar ju si Kuvend, e madje nenin përkatës që e ka amandamentuar Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Murati.
Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë paralajmëruar se nëse nuk zbatohet kërkesa e tyre për zhbllokimin e mjeteve, me qindra projekte nëpër Komuna e të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng.
Drejtori i AKK’së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria duhet të veprojë shpejt për këtë kërkesë, sepse pastaj mund të jetë shumë vonë.
“Nëse merret vendimi në shtator apo tetor që të barten këto 37.5 milionë euro, atëherë komunat qysh me i shpenzu këto mjete financiare? Duhen procedurat e tenderimit dhe ato marrin kohë, vjen dimri dhe përsëri nuk mund të shpenzohen dhe përsëri duhet me kërku bartje. Këto janë kërkesa urgjente të kryetarëve të komunave me të cilat Qeveria duhet të veprojë shumë shpejt”, ka thënë Ibrahimi.
Plani i dështuar i Qeverisë për t’ua marrë komunave mjetet e pashpenzuara
Qeveria Kurti kishte planifikuar që t’ua marrë komunave mjetet vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake, përmes Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023.
Ai e kishte kundërshtuar fuqishëm fjalinë e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projekt-buxhetit për vitin 2023, ku thuhetj se “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.
Kjo fjali ishte fshirë pastaj përmes një amandamenti të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo parti kishte paralajmëruar se do ta dërgonte Ligjin në Gjykatën Kushtetuese, nëse s’do të votohej amandamenti. Edhe pse ky amandament ishte kundërshtuar nga Ministri Murati, pro tij kishin votuar edhe deputetët e partisë në pushtet.