Më 25 shkurt, Kosova u është bashkuar shteteve që i kanë vënë sanksione Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë. Sanksione u janë vënë 571 individëve dhe 51 entiteve.
Më këto sanksione, individëve dhe entiteve që gjenden në listë, do t’ju ngrihen asetet, iu ndalohet udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe iu ndalohet individëve ose entiteve në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët apo entitet që janë sanksionuar.
“Emrat e individëve dhe entiteteve të sanksionuara janë ato listuara në anekset e akteve rregullative të Këshillit të Bashkimit Evropian referuar në pikën 1. të këtij Vendimi. Sanksionet do të jenë në fugi, deri në një Vendim tjetër dhe varësisht nga rrethanat mund të përditësohen”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Ndryshe, para se të miratonte Qeveria kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për vënien e këtyre sanksioneve, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se qëndrojnë krahë shteteve perëndimore për të siguruar paqen dhe mbrojtjen e sigurisë në botë, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Qëndrojmë bashkë për paqe dhe siguri dhe mbrojtjen e demokracisë. Kemi si pikë të parë shqyrtimin e propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës vendosë sanksione në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe të Këshillit të BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, ka thënë Kurti.
Më pas, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë prezantimit të këtij propozim-vendimi ka thënë se Kosova duhet t’i bashkëngjitet botës demokratike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.
Zyra e Kryministrit ka publikuar vendimin e plotë dhe në këtë link mund t’i gjeni emrat e individëve dhe entiteve të sanksionuara./Gazeta Express