Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaKusari-Lila jep detaje për marrëveshjen që ndërpreu grevën e minatorëve të Trepçës

Kusari-Lila jep detaje për marrëveshjen që ndërpreu grevën e minatorëve të Trepçës

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça kanë ndërprerë grevën, pas 10 ditësh.

Marrëveshja u arrit mes Bordit të përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pak pas mesnatës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se janë plotësuar disa kërkesa të minatorëve, sikurse pagesat e rregullta mujore.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.

Sipas marrëveshjes, minatorët dhe përfaqësuesit e partisë në pushtet u pajtuan që ekzekutimi i pagës së minatorëve të bëhet nga data 6 deri më 10 të çdo muaji, të shpallet konkursi për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, të përmirësohen kushtet e sigurisë dhe të tërhiqen vendimet e ndërmarra gjatë grevës 10-ditore.

Minatorët hynë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës.

Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, muajt e fundit, minatorët i kanë marrë pagat mujore të ndara në dy pjesë.

Minatorët nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore dhe vazhdimisht kanë kërkuar t’i kenë të njëjtat.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Trepça pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments