Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKurti zyrtarit të NATO’s: KFOR’i nuk ofroi qartësi për rastin e rrëmbimit...

Kurti zyrtarit të NATO’s: KFOR’i nuk ofroi qartësi për rastin e rrëmbimit të tre policëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus. Kryeministri Kurti e falënderoi atë për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës.

“Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur”, theksoi Kryeministri

Ai e informoi z.Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës, dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.

Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar. Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog, theksoi Kryeministri.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës. Po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.

Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë.

Në këtë takim të përbashkët ishin të pranishëm edhe Zëvendës shefi i stafit i operacioneve, Gjeneralmajor Mattew J. Van Wgenen, Shefja për operacione aktuale të NATO-s, znj. Ariella Viehe, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, Shefi i kabinetit në Komandën e KFOR-it, Giuseppe Sgueglia, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, këshilltari i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe asistentja e lartë ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments