Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për revokimin e licencës së biznesit se mediumit Klan Kosova.
Kurti tha se ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore dhe jo teknike.
Kësisoj, Kurti tha se zbatim i rregullave të tilla kundër një shkelës, siç e cilëson ai Klan Kosovën, nuk e rrezikon pluralizimin mediatik.
“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.
Ai u reagoi ambasadoreve duke thënë se mbështet veprimet e organeve që mund te çojnë në mbylljen e Klan Kosovës.
“Në një demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk do të ulen në zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre”, ka thënë ai.
Kurti tutje tha se një sulm ndaj mediave është sulm ndaj demokracisë.
“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”, ka shkruar më tutje Kurti.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë dje vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë. Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ministria ka shtuar se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. “Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.”, ka shtuar ministria