Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij zëvendëspresidentin Rajonal për Evropë të Koorporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), Alfonso Garcia Mora.
Në këtë takim kryeministri shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.
“Ne e shohim IFC-në si një aktor të rëndësishëm në angazhimin tonë për të nxitur më shumë zhvillim dhe punësim”, u shpreh Kryeministri Kurti në fillim të takimit. Ai shtoi se vlerëson angazhimin e IFC-së në vendin tonë në punën e tyre me sektorin privat dhe ofrimin e ekspertizës së saj. Ai theksoi se agjenda jonë e reformave ka qenë e fokusuar në bërjen e Kosovës një treg atraktiv për bizneset dhe investimet.
Veçanërisht janë thjeshtuar procedurat për regjistrimin e një biznesi, për marrjen e licencës ose lejes, procedurat tatimore janë automatizuar dhe hapat e tregtimit e procedurat tjera janë shkurtuar ndjeshëm.
Kryeministri Kurti theksoi dhe arritjet e Qeverisë, sidomos sa i përket politikave ekonomike si rritja e të hyrave, rritja ekonomike dhe rritja e punësimit.
Mora e përgëzoi Qeverinë për këto arritje, veçanërisht për stabilizimin e ekonomisë pas pandemisë. Ai propozoi fusha të bashkëpunimit me Qeverinë në ofrimin e mbështetjes ndaj institucioneve mikrofinanciare, përkrahje për Qeverinë në iniciativa për mobilizimin e kapitalit të sektorit privat në zhvillimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore e sociale, dhe bashkëpunimin potencial në fushën e tranzicionit energjetik.
Në këtë mënyrë, Mora theksoi gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit me Qeverinë dhe rritjen e involvimit më të madh të IFC-së në Kosovë.
Gjithashtu u diskutua dhe për mbështetjen e IFC-së për projektin e banimit të përballueshëm, për të cilën Qeveria po punon intensivisht në realizimin e tij.
IFC ka potencial global që mund të përdoret për të ofruar më shumë mbështetje për Kosovën. Kryeministri Kurti ritheksoi dhe njëherë gatishmërinë për të dëgjuar rreth vizionit mbi të ardhmen e prezencës së IFC-së në Kosovë, punën e përbashkët dhe thellimin e bashkëpunimit. Kjo është hera e parë që një zëvendëspresident i IFC-së viziton Kosovën.