Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger, Mathew Holiday dhe Luigji Ndou.
Gjatë takimit, Bomberger shprehu përkushtimin e ICPM-së për identifikimin e personave të identifikuar gabimisht, përmes metodës së ADN-së, për vitet 1999-2003, saktësisht kohën kur kjo metodë nuk është përdorur.
U bisedua edhe për çështjen e riatdhesimit të trupave, proces ky të cilin ICMP është ofruar që ta lehtësojë.
Kryeministri Kurti falënderoi Bomberger dhe kolegët e saj për përkushtimin e tyre maksimal ndaj çështjes së personave të zhdukur me dhunë, çështje kjo që për Qeverinë e Kosovës ka rëndësi esenciale e kërkon adresim të menjëhershëm.
Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë edhe për rregullimin e çështjes së pensioneve për familjarët e të zhdukurve.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.