Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur mbi aksionet në veri të vendit, duke thënë se me prezencën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës atje, sipas tij, Serbia është frikësuar duke reaguar me MIG-29.
“Është e vërtetë që si duket Serbia u frikësua dhe i ngriti MIG-29 në ajër, por edhe djegia që ndodhi në Zubin Potok edhe tentimi në Zveçan, treguan se Njësia Speciale ka pasur arsye që të jetë atje”, është shprehur Kurti në ATV.Tutje, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se Njësia Speciale ka qenë në veri për t’i mbrojtur pikat kufitare e policët, teksa shtoi se pa u tërhequr barrikadat serbe, Njësia Speciale nuk ka lëvizur që atje.
Më tej, Kurti përmendi edhe çështjen e Gjykatës Speciale, ku tha se nuk ka kontakt me Dhomat e Specializuara, ku këtë gjykatë e cilësoi si jo-transparente.
“Unë s’kam kontakt me Dhomat e Specializuara. Ajo është një gjykatë sui-generis e cila ka s’ka transparencë dhe është shprehje e një gabimi kardinal politik të verës së vitit 2015”, është shprehur Kurti.