Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve mirëpriti në takim një delegacion nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), të udhëhequr nga drejtorja ekzekutive e KOMF, Donjetë Kelmendi.
Garantimi dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve është sa detyrim e përgjegjësi shtetërore, edhe përkushtim gjithëshoqëror. Respektimi i tyre dhe i të drejtave të njeriut në përgjithësi, është treguesi më i mirë i demokratizimit të një vendi dhe kjo është një rrugë që e synojmë dhe që do ta ndjekim gjithsesi, u shpreh kryeministri Kurti. Ai më tej tha se Qeveria ka prioritet edukimin e hershëm dhe qasjen e integruar të shërbimeve për këto grup-mosha dhe fuqizimin e mekanizmave gjyqësor dhe procedurave që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Përfaqësuesit e KOMF falënderuan kryeministrin Kurti për dedikimin e tij dhe të kabinetit në trajtimin dhe adresimin e sfidave të fëmijëve të Kosovës, sidomos atyre të cilat janë shkaktuar nga pandemia COVID-19. Sipas tyre, për shkak të periudhave të zgjatura të izolimit, pandemia ka rënduar gjendjen e fëmijëve, në veçanti atyre të cenueshëm dhe me aftësi të veçanta. Kjo ka ndikuar edhe në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve.
Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të hapur e të vazhdueshëm me KOMF në adresimin e nevojave të fëmijëve dhe përmirësimin e përparimin e kushteve për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë.