Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalur edhe me një reagim për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-burri i saj.
Kurti ka thënë se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.
Thirrja e kryeministrit është që të hiqet dorë nga paragjykimi patriarkal se gruaja është shërbëtore.
“Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri.
Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.
Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.
Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje” shkruan Kurti në reagim.