Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaKurti paralajmëron pako ndihmuese për qytetarët pas ngritjes së çmimeve

Kurti paralajmëron pako ndihmuese për qytetarët pas ngritjes së çmimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në mbledhjen e Qeverisë, për ngritjen e çmimeve në vend gjatë dy muajve të fundit.

Kurti ka bërë thirrje te qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe durimin. Tutje, ai ka thënë se Qeveria ka nisur të punojë për një pako masash që do t’i ndihmojnë të tejkalojnë më lehtë vështirësitë financiare të krijuara nga situata me pandeminë.

“Fushata, që në qendër ka fajësimin e Qeverisë për këtë rritje të imponuar të çmimeve, për efekt mund të ketë veçse shtrimin e terrenit për manipuluesit për të ngritur çmimet, me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritët, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, duke përkeqësuar kësisoj situatën, ndërsa, në anën tjetër, të nxitë nervozë, frikë e panik te qytetarët, si konsumatorë”, ka thënë Kryeministri.

Fjala e plotë e Kurtit, sipas ZKM’së:

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka folur për ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Pasojat e pandemisë Covid-19 në ekonominë globale, po e afektojnë edhe Kosovën, duke ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve esenciale.

Gjithsesi, kjo rritje me ritëm shumë të shpejtë u ndikua nga berza botërore, e cila ndikoi edhe në shtetet më të zhvilluara.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, që është burim i energjisë së produkteve industriale, nxiti edhe ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit.

Si një vend importues, Kosova nuk kishte si të përbënte përjashtim. Përkundrazi, ne varemi nga importet e përditshme, e bashkë me importet, rrjedhimisht importojmë edhe inflacionin.

Konsumi në Kosovë zë një komponentë të rëndësishme të importit. Ushqimi dhe pijet kryesisht për konsum të ekonomive familjare, përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit.

Statistikat e Bankës Botërore për ndërmarrjet prodhuese tregojnë se rreth 78.5% të kompanive prodhuese në Kosovë përdorin materiale, inpute ose furnizime të tjera, që janë me origjinë të huaj dhe mesatarisht 47.4% e inputeve totale janë të huaja, pra të importuara.

Ky është mesazh i qartë i domosdoshmërisë për ri-orientim të ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, në përputhje me Programin tonë qeverisës dhe vizionin tonë për ekonominë, po angazhohemi për nxitje të investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese.

Fushata, që në qendër ka fajësimin e Qeverisë për këtë rritje të imponuar të çmimeve, për efekt mund të ketë veçse shtrimin e terrenit për manipuluesit për të ngritur çmimet, me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritët, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, duke përkeqësuar kësisoj situatën, ndërsa, në anën tjetër, të nxitë nervozë, frikë e panik te qytetarët, si konsumatorë”, ka thënë Kryeministri.

Kryeministri ka përmbyllur fjalën e tij duke u bërë apel qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe durimin, sepse siç ka thënë, nga sot Qeveria ka nisur të punojë për një pako masash që do t’i ndihmojnë të tejkalojnë më lehtë vështirësitë financiare të krijuara nga situata me pandeminë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments