Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaKurti, Osmani e Vitia e përuruan që një muaj, por spitali i...

Kurti, Osmani e Vitia e përuruan që një muaj, por spitali i ri i Pediatrisë është jofunksional

Spitali i ri i Pediatrisë në Kosovë, gurthemeli i të cilit është vënë që më shumë se 5 vite, ende ka mbetur pa u funksionalizuar. Përkundër që funksionalizimi i tij pritet të marrë edhe më tej kohë, gjatë muajit shtator, krerët e shtetit e përuruan atë. Por, edhe pas një muaji, në këtë spital nuk është dhënë as edhe një shërbim.

Spitali i ri i Pediatrisë i cili u përurua më 13 shtator të këtij viti në praninë e kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani e ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, vazhdon të jetë jofunksional.

Përkundër që ditën e nesërme bëhen 1 muaj që nga përurimi i tij nga krerët e shtetit, as edhe një shërbim nuk është dhënë deri tani në të. Këtë e kanë konfirmuar për Express nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Foto e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë-Osmani, Kurti e Vitia përurojnë spitalin e ri.

Spitali i ri pediatrik pritet të marrë edhe më tej kohë derisa të funksionalizohet.

Kjo pasi 22 milionët e ndarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë qenë të mjaftueshme për të funksionalizuar spitalin edhe pas 5 viteve përgatitje.

Spitali i ri i Pediatrisë.

Pediatri Ramush Beiqi ka treguar se përkundër që është bërë hapja e spitalit, u kanë mbetur punë shtesë të cilat nuk kanë qenë të parapara në projektin financiar, e për këtë sipas tij është dashur që Emiratet e Bashkuara Arabe të bëjnë investime shtesë.

Ai ka thënë se kanë munguar në tërësi pajisjet për klinikën e kirurgjisë së fëmijëve e po ashtu edhe për shërbimin e ortopedisë.

E për pajisjet tjera të nevojshme, Beiqi është shprehur se Emiratet e Bashkuara kanë aprovuar fondet shtesë dhe se presin që brenda këtij muaji të përfundojë implementimi i këtij projekti.

“Ju e dini që hapja, dorëzim-pranimi është bërë zyrtar mirëpo kanë mbetur disa punë shtesë për tu përfunduar sepse nuk kanë qenë të parapara me projekt financiar, kanë qenë në projekt por projekt financiar jo. Është dashtë të bëhen investime shtesë nga Emiratet Arabe përfshirë këtu internetin, intranetin, sistemin e komunikimit, sistemin e informimit dhe disa pajisje që janë bërë për klinikën e kirurgjisë së fëmijëve Instrumentariumi ka munguar në tërësi, edhe shërbimi i ortopedisë. Ashtu që për momentin është implementimi i kësaj pjese të projektit”, ka theksuar ai.

Megjithatë, edhe pas përfundimit të këtij projekti duhet kohë derisa të transferohen të gjitha shërbimet shëndetësore në spitalin e ri, e po ashtu të bëhen përgatitjet e nevojshme të stafit.

Beiqi ka treguar se në momentin që të përfundojnë implementimin e projektit do të fillojnë transferimin e shërbimeve dhe pacientëve për në klinikën e re.

E këtë sipas tij do ta bëjnë ngadalë-ngadalë në mënyrë që të mos bëjnë gabime.

“Ne shpresojmë që brenda këtij muaji do të përfundojmë këto pjesë dhe pastaj ne do të fillojmë dinamikën e transferimit të shërbimeve ngadalë-ngadalë ashtu që të mos bëjmë gabime në aspektin e dëmtimit të shërbimeve pediatrike të cilat i kemi për momentin. Nëse do të kishim me dal për menjëherë, por ka mundësi të bëjmë lëshime, ashtu që e kemi planifikuar, e kemi bërë një plan të dinamikës së transferimit të cilën ia kemi prezantuar drejtorisë së SHSKUK’së të cilën e kanë aprovuar dhe besoj që me atë dinamikë do të bëjmë transferimin e shërbimeve”, ka theksuar ai.

Asnjë punëtorë shëndetësorë nuk shihet në spitalin e ri.

Funksionalizimi i spitalit pediatrik ishte paraparë të përfundojë edhe gjatë vitit të kaluar, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Funksionalizimi i tij më pastaj ishte shtyrë për në shtator të këtij viti. Në këtë muaj u bë hapja e tij megjithëse spitali nuk ishte funksional për të filluar me dhënien e shërbimeve.

Me rastin e ceremonisë së pranim-dorëzimit më 13 shtator të këtij viti, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte thënë se hapja e këtij spitali përbënte një hap të rëndësishëm në fuqizimin e shërbimeve ekzistuese dhe hapjen e shërbimeve të reja shëndetësore të specializuara dhe të integruara për fëmijët në Kosovë.

Mungesa e stafit shëndetësor sfidë për spitalin e ri

Derisa spitali i ri i Pediatrisë pritet të përfshijë edhe shërbime të reja shëndetësore është e parë i nevojshëm shtimi i stafit shëndetësor.

Një pjesë e stafit të klinikave pediatrike pritet të kalojë në spitalin e ri.

Megjithëse, përkundër transferimit të tyre, shprehet nevoja e madhe për rekrutime shtesë.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Murat Berisha, ka treguar për Express se i tërë stafi i kësaj klinike do të kaloj në spitalin e ri.

Ndërsa, ai ka thënë se është shumë e nevojshme që të shtohet stafi.

“Stafi i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve kalon komplet në spitalin e ri dhe do të ketë nevojë për staf të ri. Ato planifikohen përmes drejtorisë qendrore të SHSKUK’së që të rritet stafi që është shumë e nevojshme”, ka theksuar ai.

Foto nga MSH – Brenda spitalit të ri pediatrik.

Ndërsa, Ramush Beiqi ka treguar për gazetën se tashmë kanë bërë përgatitjet për stafin që e kanë e për staf shtesë është hapur një konkurs për infermierë.

Megjithatë sipas tij, duhet të shtohet edhe stafi teknik, rojet, shërbimi i pastrimit e i mbikëqyrjes.

“Ne kemi bërë përgatitjet për staf që kemi dhe kemi bërë përgatitjet për staf shtesë. Përgatitjet për staf që kemi, ne e kemi planin e dinamikës, për staf shtesë është një konkurs i hapur për infermiere, por janë shumë gjëra që duhet të aplikohen atje, për shembull roja, shërbimi i pastrimit, shërbimi i mbikëqyrjes dhe ato duhet të planifikohen si të reja”, ka theksuar ai.

Ai ka treguar se kanë kërkuar që në kuadër të spitalit pediatrik të hapet edhe kardiokirurgjia.

E për këtë, ai është shprehur që po presin konfirmimin.

“Në projektë nuk është e parapame salla e kardiokirurgjisë si e tillë, në ndërkohë drejtoria aktuale e QKUK, drejtoria e Klinikës Pediatrike dhe shërbimi i pardiologjisë pediatrike, ne kemi bërë një projekt propozim për hapjen e kardiokirurgjisë në klinikën e re dhe tani presim në aprovim. Mungon një numër i vogël i aparaturës i cili me një kosto shumë të ulët mund të kryhet. Kurse planifikimi i stafit është afatgjatë. Nuk kryhet as për një muaj as për një vit shkon pak më gjatë”, ka deklaruar ai.

Foto nga MSH – Brenda spitalit të ri pediatrik.

Kujtojmë që më 21 mars të vitit 2016 ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, atë kohë ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së.

Marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Jahjagës në Abu Dhabi.

Ndërsa, realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments