Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKurti, Osmani e Konjufca të ftuar nesër në Paradën e Krenarisë, a...

Kurti, Osmani e Konjufca të ftuar nesër në Paradën e Krenarisë, a do të shkojnë?

Liderët shtetërorë paraqesin pjesërisht përkrahjen e tyre për komunitetin LGBTIQ+. Përzgjedhin edhe rrjetet sociale se ku të shkruajnë pro të drejtave të tyre. Këtë e kanë treguar ndër vite edhe me mospjesëmarrje në paradën e krenarisë. Vitin e kaluar, ndryshimin nuk e bëri as kasta e re udhëheqëse. A do të marrin pjesë sivjet Glauk Konjufca, Vjosa Osmani e Albin Kurti në paradë?

Me moton “Edhe në shtet edhe në familje”, të enjten nga ora 11:00 në Prishtinë, do të mbahet parada e Krenarisë, që ka për qëllim promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+. Kjo paradë po mbahet për herën e gjashtë në Kosovë.

Vitin e kaluar, në Paradën e Krenarisë, nuk morën pjesë asnjë nga krerët e shtetit – Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit. Në këtë organizim, edhe sivjet do të mungojë kryekuvendari, Glauk Konjufca, pasi, sipas zyrës së tij, ai pritet të udhëtojë jashtë vendit në vizitë zyrtare.

Zyra e Kryetarit të Kuvendi e ka bërë të ditur këtë për Express, pa treguar se ku do të jetë destinacioni i Konjufcës.

Të njëjtën pyetje – se a do të marrin pjesë në Paradën e Krenarisë – Express ua ka dërguar para dy ditësh edhe Zyrës së Kryeministrit dhe asaj të Presidentes, mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Se janë ftuar në këtë paradë, për Express e kanë konfirmuar nga organizata CSGD, por të njëjtit ende nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.

Liridon Veliu nga kjo organizatë tha se edhe për hapen e Javës së Krenarisë presidentes Osmani i është dërguar ftesë gati një javë përpara, por e njëjta është përgjigjur 10 minuta para se të nisë aktiviteti.

E se a do të marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti në Paradën e Krenarisë, pritet të shihet nesër.

Homofobia edhe në shtet

Në mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur përpara vetes një projekt-kod, sipas të cilit lejohet regjistrimi i ‘bashkësive civile’ ndërmjet personave me gjini të njëjtë, mirëpo nuk definohet se çka është ‘bashkësia civile’. Ky projekt-kod nuk arriti të votohet, për shkak se shumica e deputetëve ose votuan kundër ose abstenuan, pikërisht për shkak të nenit që fliste për bashkësitë civile.

Një përkrahje për këtë komunitet nuk e pati pothuajse asnjë qeveri. Pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ vazhdojnë të heshtin rreth orientimit te tyre seksual, pasi sipas tyre, ata nuk pranohen dhe janë viktima të dhunës seksuale, fizike e psikike.

Veliu nga CSGD tha se Parada e Krenarisë organizohet për të gjashtën herë, mirëpo jo gjithmonë, liderët shtetërorë kanë qenë të pranishëm. Ai tha se edhe vitin e kaluar, e kanë ftuar parinë e shtetit të Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk ishin përgjigjur ftesës dhe si përfundim nuk dolën në paradë.

Në Projektkodin Civil shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Përgjigjet e deputetëve ndaj Projekt-kodit Civil

Gjatë seancës për projekt-kodit civil, fjalën e mori edhe kryeministri Kurti, i cili tha se “regjistrimi i ‘bashkësive civile’ të personave me sekse të njëjta” është pika brenda Projektkodit Civil, “për të cilën ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime”.

“Kodi nuk i ka rregulluar kushtet dhe procedurën për këtë institucion të ri, por vetëm në mënyrë afirmative e ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë. Pra, Kodi nuk është i mjaftueshëm. Kjo është në pajtim të plotë edhe me Kushtetutën, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi, përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë. Po ashtu më duhet të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me sekse të njëjta. Kjo dallon me ‘bashkësinë e regjistruar civile’ ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë kryeministri Kurti.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, deklaroi se ky projekt-kod nuk e rregullon martesën mes përsonave me gjini të njëjtë por vetëm e njeh ‘bashkësinë civile’ në mënyrë afirmative.

“Përderisa Draftkodi Civil nuk e rregullon martesën e personave me gjini të njëjtë, por vetëm në mënyrë afirmative e njeh ‘bashkësinë civile’, duke referuar që në të ardhmen, duhet të nxirret një ligj i veçantë, i cili cakton kushtet dhe procedurën e martesës në mes personave të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Kusari-Lila ditën e votimit të draf-kodit.

Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se debati për Projekt – kodin Civil ka qenë i gjatë dhe se u interesone dhe mendimi i kryeministrit, i cili nuk qëndroi gjatë diskutimit.

“Ky ka qenë një debat i gjatë në Republikën tonë dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit për këtë çështje, sepse nuk është prononcuar asnjëherë”, ka thënë Abelard Tahiri.

Një përgjigje për këtë projektkod e kishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nëse qëndrimi i Qeverisë është ashtu siç e ka artikuluar në Projektkod, që ‘bashkësitë civile’ të njihen si kategori tash e tutje dhe të përcaktohen me ligj të veçantë, atëherë, a ka bërë punë Qeveria e Kosovës që ta kemi një ligj të veçantë dhe në çfarë faze është kjo. Nëse është dashur që vetëm në mënyrë afirmative ta sjellim këtu… Por, në Kushtetutë është kjo sjellje afirmative. Pse është dashur që në Kodin Civil të ripërsëritet kjo qasje afirmative”, ka pyetur Selmanaj.

Besnik Tahiri nga AAK ka thënë prerazi që janë kundër këtij versioni të Kodit Civil, ndërsa nga Grupi Parlamentar Multietnik kanë konsideruar që disa risi të projektkodit civil janë kundër vlerave dhe traditave familjare dhe vendit.

“Ne e kemi diskutuar këtë çështje në detaje dhe si Grup Parlamentar jemi deklaruar para tre javësh se jemi kundër versionit të këtij Kodi Civil”, ka deklaruar Tahiri.

“Unë mendoj që e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme, ashtu sikurse pa natyrshmëria nuk mund të jetë kurrë e natyrshme. Publikimi dhe promovimi i të jashtëzakonshmes në diçka të zakonshme mendojmë se është fyerje për shumicën e zakonshme”, ka thënë Erxhan Galushi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments