Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me projektin “Dritare për Investime të Diasporës” që është lansuar sot e që ofron deri në 100 milionë euro kredi për investime në Kosovë.
Kurti ka thënë se ka shumë bashkatdhetarë që po kthehen në Kosovë për të investuar e shumë të tjerë që kanë shprehur interesim.
Kryeministri ka ftuar diasporën për t’u kthyer në Kosovë dhe për të investuar.
Postimi i plotë:
Tashmë kemi shumë raste ku bashkatdhetarët tanë po kthehen në Kosovë për të investuar kapitalin e tyre. Ka edhe shumë të tjerë që janë shprehur se investimi në Kosovë është pjesë e planeve tyre për të ardhmen e afërt.
Me sot, e hapëm “Dritaren për Investime të Diasporës”. Për të fillimisht, bashkë me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, kemi dhënë zotimin për të kontribuar deri në 10 milionë euro për garantimin e huave për bizneset me pronarë nga mërgata që duan të kthehen e të investojnë në Kosovë, kurse përmes saj parashihen që të garantohen deri në 100 milionë euro kredi.
Ejani! Ju mirëpresim, ju ndihmojmë, ju mbështesim.