Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë pritur sot takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici.
Kryeministria ka dhënë detaje për këtë takim përmes një komunikate që kanë nisur për media.
“Komandanti i KFOR-it, Federici e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe përgjegjësinë e re. Ai konfirmoi gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti e falënderoi për urimin dhe shprehu mirënjohje për punën, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, dhe tha se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët, për çka bashkëpunimi ndërinstitucional mes Qeverisë së Republikës Kosovës dhe KFOR-it është i domosdoshëm. Ai e njoftoi për masat e reja kundër Covid-19 që Qeveria ka ndërmarrë, e që nga sot kanë hyrë në fuqi, si dhe për angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve përkatëse në sigurimin e dozave të reja të vaksinës kundër Covid-19”, shkruhet në komunikatë.