Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk e ka uruar Donald Trumpin për inaugurimin e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Donald Trump u betua të hënën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke filluar zyrtarisht mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Ceremonia e inaugurimit, e mbajtur më 20 janar, shënoi një moment të rëndësishëm në politikën amerikane, mirëpo mungesa e një urimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vëmendje.
Albin Kurti, i njohur për qëndrimet e tij të kritike ndaj politikave ndërkombëtare, sidomos ndaj ish-administratës Trump, deri tani nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për të uruar presidentin e ri.
Kurti, në maj të këtij viti nuk e priste fort mirë rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri Kurti, i cili kishte pasur përplasje në vazhdimësi me ish-të dërguarin e Donald Trump, Richard Grenell, në maj të vitit të kaluar (2024) kishte deklaruar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”.
“Potenciali në rritje i kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”, kryesisht për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës në një intervistë për uebfaqen e lajmeve “Semafor”.
Pavarësisht kësaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e uroi Trumpin derisa ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me administratën e re në Shtëpinë e Bardhë, duke u bazuar në lidhjet tradicionale të fuqishme midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një letër drejtuar Trumpit, Osmani tha se Kosova me krenari mbetet kombi më pro-amerikan në botë, duke shtuar se populli i Kosovës e vlerëson lidhjen e palëkundur me SHBA-në.
Ajo përmendi edhe përkushtimin e Trumpit për të avancuar rrugën që çon në njohjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Lidershipi dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri. Si presidente e Republikës së Kosovës ndaj bindjen tuaj se kjo do të kontribuojë edhe për paqe të qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian. Jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë bashkërisht për t’u siguruar se ky qëllim të arrihet dhe të forcohen marrëdhëniet tona duke ecur përpara”, ka thënë Osmani në letrën drejtuar Trumpit.
Në letrën e saj, Osmani ka deklaruar tutje se Kosova qëndron si partnere krenare e SHBA-së.
“Fitorja juaj historike pasqyron besimin e thellë që populli amerikan ka vendosur nën udhëheqjen t uaj dhe vizionin tuaj për të mbrojtur dhe çuar përpara vlerat e qëndrueshme të lirisë dhe demokracisë, parime që i lidhin dy vendet tona”, ka thënë ajo./Paparaci