Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje nga fjalimi i tij sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë.
Ai ka thënë se në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane, duke iu referuar kështu mos dhënies së një date të caktuar për aderimin e rajonit në familjen e madhe evropiane.
Kurti ndër tjera ka përmendur edhe mos heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon një të drejtë të tillë.
Ai ka kujtuar se kanë kaluar tri vjet qëkur Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë.
“Unë inkurajoj liderët skeptikë në BE që të jenë në dijeni për progresin e arritur në Kosovë dhe të heqin regjimin e bizave për qytetarët tanë. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa vlera të BE-së. Ne duhet të ndërtojmë BE-në në vendet tona, por kemi nevojë për ndihmë nga jashtë”, është shprehur Kurti.
Ai ka mirëpritur Deklaratën e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, teksa ka dhënë edhe vërejtjet e tija.
“Ne besojmë se ajo që kur i referohet Ballkanit Perëndimor, ne duhet të themi gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi që janë gjashtë shtete. Ne besojmë se samiti duhet të dënojë angazhimin e ushtrisë së Serbisë në kufirin me Kosovën: aeroplanët MIG-29 fluturuan pranë kufirit dhe ambasadori rus në Beograd erdhi për të inspektuar grumbullimin e trupave serbe atje. Më 17 qershor, gjatë takimit tonë në Bruksel, unë i kam propozuar presidentit të Serbisë që ne të nënshkruajmë Deklaratën e Paqes për mos agresion, por ai e refuzoi ta bëjë këtë”, ka thënë kryeministri Kurti.