Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron si hakmarrje të Serbisë ndalimin e udhëtarëve të mërkurën në pikëkalimet kufitare në Serbi. Kjo, sipas Kurtit, është paralajmëruar edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai tha se Serbia është u hakmor kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Europës, duke shtuar se qindra persona janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi.
“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë ku ai tha që në javën që vjen Serbia kudo që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të fillojë që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarake ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre – një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mes të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës. Pikërisht në ditëlindjen e Njësitit Special Ushtarak, i cili i kishte rrëmbyer policët tanë, presidenti i Serbisë e paralajmëroi këtë përndjekje të të tjerëve të cilët ai i konsideron të padëshirueshëm, duke filluar prej shqiptarëve të Kosovës e atyre ne Luginë e deri të serbet në Kosovë të cilët janë integruar në institucionet tona. Duket që arrestimi masiv i cili është bërë dje – me ç’rast qindra qytetarë civilë janë lënë pa medikamente, pa ushqim pa ujë për pothuajse një ditë të plotë – është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim në masë”, u shpreh Kurti pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Velani për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës.
Kurti thekson se veprimet e serbëve në Kosovë po bëhen me urdhër të Beogradit, ndërsa Serbinë e konsideron fajtore edhe për situatën në veri dhe përpjekjet për ta dështuar procesin e referendumit për largimin e kryetarëve aktualë të katër komunave në veri të Kosovës.
“Që nuk mund të them që ka përfunduar dhe që duhet ta kuptoni që po ndodh në të njëjtën kohë kur në Serbi po kryhet, siç besojnë ata, ushtrimi më i madh ushtarak në këtë shekull dhe i cili do të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri në fund të javës, pra deri të dielën. Që të gjitha këto janë të sinkronizuara edhe me bojkotin që po u bëhet votimeve në katër komunat veriore të paraparë të dielën e që do të ishte një shans për qytetarët atje që ta shprehin vullnetin e tyre. Po për shkak të bullingut polit nga Beogradi, kërcënimeve, shantazheve, djegieve te veturave që bëhen atje, duket që nuk do të këtë pjesëmarrje të kënaqshme, ndonëse ne bëjmë gjithë përpjekjet e mundshme dhe i ndihmojmë KQZ-së që këto votime të jenë sa më të suksesshme të dielën e 21 prillit”, thotë Kurti./EO/