Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKurti më në fund del me një përgjigje për QUINT’in rreth pronës...

Kurti më në fund del me një përgjigje për QUINT’in rreth pronës së Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e pronësisë së tokës rreth Manastirit të Deçanit pas kërkesës së katërt që pranoi muajin e kaluar nga shtetet e QUINT’it, që Qeveria e tij të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se Manastiri i Deçanit është pronar i asaj toke.

Kurti ka thënë se ka shumë shkelje në këtë aktgjykim, derisa ka shtuar se pushtetet janë të ndara dhe se nuk duhet të përzihen.

“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, a nuk janë të ndara pushtetet? Pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor? Pse kaq shumë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që në njëfarë mënyrë të ndërthuret me një shtyllë tjetër të pushtetit? Vazhdimisht është kërkuar që ne të mos përzihemi në shtyllat e tjera të pushtetit, që natyrisht është tipar i demokracisë, mirëpo në këtë rast kërkohet vazhdimisht që ne të jemi aty pranë Gjykatës Kushtetuese. Ajo e bën punën e saj sipas diskutimeve dhe mendimeve që ka. Ne jemi një organ tjetër dhe jo vetëm për nga shkalla, por edhe nga natyra e Republikës së Kosovës”.

Për më tepër, Kurti ka thënë se shkelje është bërë edhe kur Kisha Ortodokse është pranuar si palë.

“Ata e kanë dhënë aktgjykimin e tyre, unë besoj që ka shumë shkelje procedurale. Nuk është Manastiri i Deçanit palë në çështje, është Kisha Ortodokse, gabimisht është pranuar. Nuk mund të na përfaqësojë neve AKM-ja e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë, por është dashur AKP-ja. Edhe kjo është shkelje është bërë. Janë të panumërta ato. Por, qeveria i mbahet drejtësisë. Nuk angazhohemi ne me logjikë pazaresh me askënd. As brenda, as jashtë vendit. Me dijen që e kemi, me aftësisë që i posedojmë e bëjmë më të mirën e mundshme”.

Gjithashtu, Kurti tha se ka ofruar dialog nga priftërinjtë kryesorë që të nisin dialog dhe të bashkëbisedojnë, por se nuk po e pranojnë për dallim nga të gjithë paraardhësit e tij në ekzekutiv.

“Janë ata që s’po e pranojnë këtë gjë .Vazhdimisht bën dialog secili me secilin, që të gjithë gjithandej, por që fatkeqësisht priftërinjtë e Kishës Ortodokse s’po e kanë gatishmërinë të dialogojnë me mua. I kanë pritur në takim dhe kanë dialoguar me të gjithë kryeministrat para meje, përveçse me mua. Megjithatë bëhet fjalë për një përzgjedhje politike sepse aktgjykime të tjera të Gjykatës Kushtetuese që s’po përmenden ndonëse nuk janë zbatuar. Si bëhet që nga aktgjykimet përzgjidhet njëri sikur bëhet fjalë për bufe apo tryezë suedeze? Nëse është drejtësi, atëherë nuk do të dukej kështu”.

Në reagimin e tyre, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës thanë se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe vunë në dukje se këto janë edhe parakushte për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

\“Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhej në reagimin QUINT-it më 20 maj të këtij viti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments