Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKurti kishte informacion 2 ditë më herët për protestat e serbëve

Kurti kishte informacion 2 ditë më herët për protestat e serbëve

Kryeministri Albin Kurti kishte informata se do të organizoheshin protesta në Veri, e për të, arsyeja ishte e padrejtë.

Protestat e sotme në Veri për shumëkënd mund të kenë ardhur papritmas, por jo edhe për Kryeministrin Albin Kurti, i cili, në fakt, edhe paralajmëroi për to.

Në konferencën për media, që u mbajt të mërkurën, Kryeministri Albin Kurti tha se ka marrë informata që në Veri do të organizoheshin protestat “për pasnesër”. Ai fliste për sot, dhe, kështu edhe ndodhi.

“Sot më erdhi informacioni që po përgatiten edhe protesta për pasnesër. Unë nuk mendoj që protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Unë plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, nëse do të protestonin kundër korrupsionit, për çështje sociale, për arsim më të mirë,  për shëndetësi më të mirë”, tha Kryeministri, gjatë paraqitjes së tij para mediave.

Por, sipas Kurtit, është e padrejtë, që të protestohej për mosorganizim të zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë, të cilat shteti serb i mban më 3 prill.

“Mirëpo, të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë, që të mbahen nëpër objekte shkollore, nuk është e drejtë”,

Ai edhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovoës, që të mos organizojnë protesta për temën e zgjedhjeve, e as të mos marrin pjesë në to. Këto thirrje i mbështeti me këshilla, si “protestues i madh”.

Protestat në Veri nisën sot në mëngjes, ndërsa ndërkombëtarët shprehin shqetësimin se ato mund të eskalojnë.

Fotografi nga Veriu/Çlirimtar Morina, T7

Kurti organizimin e protestave, dy ditë më parë, e lidhte me një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, të mbajtur në Serbi, ku krah tij ishin edhe përfaqësuesit serbë të Kosovës. Ndër ta edhe Milan Radojçiq, i arratisur nga Kosova.

“Aspak nuk lë shije të mirë kur në Beograd mbrëmë mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë, e sot në mëngjes lëshohen thirrje për protestë”, tha Kurti.

Media kosovare në gjuhën serbe “Kossev” raportoi më herët se disa autobusë me qytetarë nga Serbia hynë në veri të Kosovës.

Shtetet e QUINT-it: Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-ja, Italia dhe Franca, që pak ditë më parë e çartuan Qeverinë e Kosovës lidhur me qëndrimin për zgjedhjet e 3 prillit, shqetësim kanë shprehur edhe sot për protesta.

Në reagimin e QUINT-it thuhej se “i kanë parasysh demonstratat e planifikuara për sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes apo për dhunë”.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave tha se nuk ka vendim të Qeverisë, por thjesht nuk ka ndonjë marrëveshje për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

Ai përmendi disa metoda, sipas të cilave, serbët e Kosovës, që kanë nënshtetësi të Serbisë do të mund të votonin nga Kosova për zgjedhjet atje.

Përdorimi i zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe votimi me postë, i cili nuk parashihet me ligjet për zgjedhje të Serbisë, janë disa nga propozimet e Kurtit.

Mirëpo, QUINT-i e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se refuzoi një propozim konstruktiv të tyre për lejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, ndërsa e vlerësoi qëndrimin e Serbisë.

Më poshtë gjeni pamje nga protesta. Prej atje, për Gazetën Express, raporton gazetari i T7, Çlirimtar Morina.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments