Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sërish heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në takimin që pati me Ambasadorët e QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së BE’së në Kosovë, duke thënë se kanë pushuar arsyet për to. Kërkesa e Kurtit vjen disa orë pasi Presidentja Vjosa Osmani tha heqja e masave është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së BE’së në Kosovë. Në këtë takim, Kurti kërkoi heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës qe disa muaj.
Sipas Kurtit, arsyet për të cilat janë vendosur këto masa kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar.
“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar ZKM’ja.
Por, hiç më larg se sot paradite, Presidentja Vjosa Osmani, sqaroi se heqja e masave të BE’’së lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Ajo tha se në këtë proces është e domosdoshme të ecet përpara dhe tha se zgjedhjet do t’i caktojë sapo të konfirmohet largimi i kryetarëve aktualë.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Është e domosdoshme që të ecim përpara gjithnjë në përputhje me ligjin dhe procedurat e përpara”, tha Osmani para gazetarëve.
Ajo e ripotencoi që masat e BE-së ndaj Kosovës janë krejtësisht të padrejta.
“Procesin e dialogut e ka dëmtuar më së shumti mungesa e balancës në këtë dialog, njëra palë pra Kosova është nën masa krejtësisht të padrejta, ndërsa Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme. Kjo jo vetëm që e dëmton, por edhe e inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë”.
Megjithatë, Osmani tha se në suazat më të gjera, të gjitha institucionet e Kosovës duhet t’i trajtojnë aleatët si ekzistencialë.
“Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione, në veçanti me SHBA-në, me Mbretërinë e Bashkuar, me shtetet e BE-së, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë, sepse historia e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin”.