Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKurti ka vërejtje për ndërkombëtarët, Vuçiq thotë se ata po e mbështesin...

Kurti ka vërejtje për ndërkombëtarët, Vuçiq thotë se ata po e mbështesin kryeministrin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket në vështirësi të madhe pasi është nën presion nga ndërkombëtarët të cilët e bëjnë përgjegjës atë për tensionimin e situatës në veri të vendit. Ai ka vërejtje dhe i shfaq hapur pakënaqësitë e tij. Ndërkohë, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po ndodh e kundërta – ndërkombëtarët po e mbështesin Kurtin. Ai ka ardhur në këtë përfundim pasi SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kërkuan Beogradit që t’i lirojë menjëherë policët e kidnapuar të mërkurën në veri të Kosovës.

“Mendova se ai po e bënte i vetëm”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media sot, ku hodhi akuza në drejtim të ndërkombëtarëve. “Tani e di”, vazhdoi ai, duke u shprehur i bindur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mbështetjen e Perëndimit.

Në fakt, për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve të fundit, Kurti si asnjëherë më parë është ‘kërcënuar’ me pasoja konkrete për nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. BE-ja she SHBA-ja e kanë shpallur atë fajtor për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje muajin e kaluar u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se kryeministri i Kosovës s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.

Pasi tre policë të Kosovës, patrollues të kufirit u kidnapuan të mërkurën nga forcat serbe në veri, kryeministri Albin Kurti u shpreh i habitur me ndërkombëtarët, të cilëve iu kishte kërkuar reagim të menjëhershëm.

“Ajo që është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë”, tha Kurti të enjten në një konferencë për media.

Ai tha se ishte e habitshme se si NATO nuk e kishte përmendur se kishte gjetur prova se rasti, sipas tij, kishte ndodhur brenda territorit të Kosovës.

“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e qizmeve, këpuceve të huaja në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat plastike lidhëse. Pra, si është e mundur se ata prentendojnë se Policia janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne?”, pyeti Kurti.

Ka gjithashtu disa ditë, që pushteti në Kosovë drejton kritika të hapura edhe ndaj ndërmjetësit të BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, duke e akuzuar për anshmëri.

Por asgjë nga këto duket se s’e ka bindur Vuçiqin. Sipas tij, tashmë “është e qartë se Kurti po punon me ndihmën e Perëndimit”.

“Mendova se ai po e bënte i vetëm, tani e di se ai e ka mbështetjen e disa vendeve perëndimore”, tha Vuçiq në një konferencë për media në Beograd, ku e sulmoi edhe EULEX-in, misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovës.

“Sido që të bëjmë, sado të mirë dhe konstruktivë të jemi, përpiqemi ta përmirësojmë pozicionin, të gjejmë zgjidhje, në thelb nuk do të na ndihmojë kurrë. Jo për asgjë. Për asgjë. Në fund, ata gjithmonë do të na thonë ‘epo nuk mund ta ndalojmë, është shteti sovran i Kosovës, nuk mund t’i ndalim veprimet e tyre’. Pra, pse jeni atje?”, tha Vuçiq në konferencën e sotme.

Sado që, sipas tij, Serbia është përpjekur, tha se fuqitë europiane nuk e kanë parë si shtet parner serioz dhe të përgjegjshëm.

“Pavarësisht se çfarë kemi bërë, ne kemi qenë gjithmonë fajtorë, edhe nëse ne nuk kishim asnjë faj”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë bërë thirrje për lirimin menjëhershëm të tre policëve kufitarë të Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments