Kryeministri Albin Kurti ka pranuar urime nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Rama në letër thotë se përulet para themeluesve të Republikës, duke iu shprehur atyre mirënjohje.
Po ashtu, Rama në letër përmend edhe ndihmën e aleatëve për ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
“Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”, thuhet ndër të tjera në letër urimin e kryeministrit Rama.
Në urimin e tij drejtuar kryeministrit Kurti, e përmes tij të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Rama thekson vullnetin e tij dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm.