Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKurti e ‘braktis’ dialogun në rrjetet sociale, i bën prioritet asfaltin, shkollat,...

Kurti e ‘braktis’ dialogun në rrjetet sociale, i bën prioritet asfaltin, shkollat, çerdhet

BE-ja ka sanksionuar Kosovën duke i ndalur fillimisht miliona euro investime. Nuk dihet nëse Kryeministri Kurti po e përdor si kundërpërgjigje, por në profilin e tij në Facebook, papritmas janë shtuar pamje të projekteve “zhvillimore” dhe janë pakësuar postimet që në një mënyrë a një tjetër lidheshin me tensionet në veri dhe Serbinë.

Profili i Kryeministrit Kurti, që mban rekordin e pëlqimeve mes politikanëve kosovarë, është dominuar nga postimet përkujtimore dhe reagimet mbi zhvillimet politike aktuale.

Meqë Kryeministri Kurti, për më shumë se dy vjet qeverisje, ka bojkotuar gati krejtësisht mediat dhe ka dalë pak në intervista, rrjetet e tij sociale kanë mbetur burimi kryesor për informim nga ai.

Me Kosovën e sanksionuar nga Bashkimi Evropian, që tashmë ka nisur t’i ndalë fondet, postimet në profilin e Kurtit në Facebook kanë marrë kahje tjetër. Aty së fundmi janë shtuar videot me pamje të projekteve të Qeverisë Kurti, e cila ka nisur mandatin në mars të 2021-s.

Projektet e promovuara nga Kurti janë kryesisht punime në rrugë, apo nisje e ndërtimit të shkollave. Vetëm të mërkurën gjatë ditës, Kurti ka publikuar tri video me përmbajtje të tillë, të cilat ishin përgatitur për audiencën e tij në Facebook dhe në Instagram.

Në postimin e parë ka treguar për katër rrugë të shtruara në komunën e Graçanicës dhe për një tjetër që është riasfaltuar. Gjersa publikoi pamjet e rrugëve të shtruar në dy fshatrat, ka shkruar se “Këtë vit Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë edhe investime shtesë në këtë Komunë”.

Në dy postimet e tjera të ditës së sotme, Kurti ka servuar pamje të një shkolle të mesme të ulët që ka nisur të ndërtohet dhe të një çerdheje e të një palestre sportive. Të gjitha këto në komunën e Kamenicës.

Gjatë kësaj jave ai ka njoftuar edhe se kanë përfunduar restaurimet në tri kisha dhe manastire ortodokse në Kosovës, përmes një projekti të përbashkët me Bashkimin Evropian dhe UNDP-në.

Po këtë javë, Kryeministri ka vizituar punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë dhe ka thënë se, pas shumë vitesh punime, ajo do të përfundojë “pas 365 ditëve”. Por, ministri i tij i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është shprehur skeptik se mund të përfundojnë punimet në atë rrugë, për një vit.

Përveç në sferën e infrastrukturës, Kurti këto ditë ka publikuar edhe pamje nga veprimtaria bujqësore e bujqve që thotë se kanë marrë grante nga Qeveria.

Postimet për “zhvillimin” ndërpriten me ndonjë njoftim ose reagim të Kryeministrit, që lidhet me zhvillimet në veri. Gjatë këtij muaji, ai ka publikuar edhe video me fjalime në serbisht, përmes së cilës synonte t’u drejtohet serbëve të Kosovës për t’ua dhënë versionin e tij mbi situatën dhe në anglisht, me të cilët dukej se u ishte drejtuar ndërkombëtarëve. Por, kjo nuk iu mor parasysh, sepse pas pak ditësh Bashkimi Evropian i konfirmoi sanksionet e vëna ndaj Kosovës, për shkak se nuk iu bind kërkesave, që, sipas BE-së dhe SHBA-së, çojnë në shtensionimin situatës në veri.

Kryeministri Kurti tregon gjithmonë se qëndron mirë me mbamendje, e sidomos me datat. Edhe profili i tij në Facebook e reflekton këtë. Ai vazhdimisht e ka përdorur këtë rrjet social për të përkujtuar ngjarje dhe individë.

Në fakt, Kurti ka përkujtuar aq shumë në Facebook, saqë i ka ardhur radha edhe ish-politikanit serb të akuzuar për krime lufte në Kosovë, Oliver Ivanoviq dhe ish-Kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq. Për këto përkujtime Kurti ka nxitur reagime në Kosovë. Por, Kurti nuk ka nxitur reagime vetëm në rastet kur ka vendosur të shkruaj për një figurë ose një ngjarje. Janë të njohura rastet kur ai është përmbajtur nga një deklarim publik, ndonëse kritikët i kanë kërkuar ta thoshte fjalën e tij, aty ku përkrahet më së shumti – në Facebook.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments