Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKurti: Diaspora ka kontribuar në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, por s’ka...

Kurti: Diaspora ka kontribuar në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, por s’ka pas vëmendjen e institucioneve

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputetë për Kuvendin e Shqipërisë, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani, kanë zhvilluar një takim virtual me komunitetin shqiptar në Itali, ku ka thënë se në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet.

 

Kurti ka shkruar në Facebook se në këtë takim virtual erdhën shumë shqiptarë të Italisë, e ndër të cilët Giorgio Rubolino nga “Diaspora 91-19”; Marian Bjeshkëza nga “AssoAlbania”; Petrit Aliaj nga “Federazione Nazionale Associazioni Albanesi Italia” (FNAI); Alba Kepi, gazetare; Rozi Dako, psikologe etj. Takimi u moderua nga aktivisti i VETËVENDOSJE!-s në Itali, Erald Korra.

“Komuniteti shqiptar në Itali, i cili është bukur i madh e i integruar, përkujton këtë vit 30 vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kjo përkon me fillimin e tranzicionit shqiptar i cili tashmë është bërë sistemik dhe duhet të kryhet. Por forcat e politikat që përfitojnë nga tranzicioni, nuk mund ta përfundojnë atë. Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet. Shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve. Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shkruar se kanë diskutuar edhe mbi nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri.

“Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes”, ka shkruar ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments