Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videomesazhi ka bërë thirrje edhe një herë drejtuar qytetarëve që të vaksionohen kundër virusit SARS‐CoV‐2.
Ai gjithashtu njoftoi se sot është tejkaluar administrimi i 1.6 milionë vaksinave, ku 64% e qytetarëve në Kosovë janë vaksinuar me një dozë, ndërsa më shumë se gjysma, 56%, janë vaksinuar me dy doza.
“Ata që kanë ende dyshime, ju bëj apel që për hir të shëndetit personal, të familjes dhe shoqërisë, t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti u bëri thirrje të veçantë prindërve dhe mësimdhënësve që t’i inkurajojnë të rinjtë që të vaksinohen.
Ai ka shtuar që qytetarët ta shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit pa pasur nevojë për termin dhe në cilëndo komunë që ata duan.
Kurti e quajti gjendjen në Kosovë me pandeminë, më të mirën në rajon dhe Evropë.