Ndër plot vërejtje të Komisionit të Venecias, Qeveria e pa një dritë të gjelbër dhe kështu arriti që sot ta shtyjë përmes Kuvendit krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë. Rekomandimet u tha se do të shqyrtohen më pas.
Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. 58 deputetë votuan për dhe 3 abstenuan nga 61 deputetë sa morën pjesë në votim. Për Qeverinë ishte e nevojshme që kjo të ndodhte sot, pavarësisht vërejtjeve të Komisionit të Venecias dhe thirrjeve të opozitës që ato të merren parasysh.
Kryeministri Albin Kurti, kështu, parimisht arriti ta shtyjë përpara, në mënyrën më konkrete deri më tani, planin e tij për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Premtimi i Kurtit duket se do të bëhet realitet disi, me gjithë kritikat që nuk mungojnë nga brenda e jashtë vendit.
Komisioni Europian kishte kritikuar planin e Qeverisë për reformat në drejtësi, duke thënë se ishte “burim serioz i shqetësimit”.
Por projektligji për Byronë kaloi sot në lexim të parë. Atij iu bashkangjit vetëm një si premtim i ministres Haxhiu se opnioni i Komisionit të Veneciat – që përmban shumë vërejtje – do të merret parasysh më pas.
Qeveria vitin e kaluar e nisi me nxitim punën për ta bërë një ligj që lejon konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Më pak se një muaj pasi u formua, Qeveria Kurti II në prill të vitit 2021 miratoi koncept-dokumentin për konfisikimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me njëfarë entuziazmi shprehej se Projektligji do të mundësonte konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave të dyshuar, edhe nëse ndaj tyre nuk ka aktgjykim të formës së prerë.
Pjesa themelore e planit ishte krijimi i një agjencie të pavarur, e cila do të iniconte procedurat ndaj personave që dyshohet se janë pasuruar jashtëligjshëm. Kjo më tej do të quhej byro. Byroja parashihet të ketë kompetenca dhe përgjegjësi për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe të parashtrojë propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.
Një debat i vogël lidhur me mundësinë e cënimit të të drejtave të njerëzve nga ky projektligj u bë atëherë, por Qeveria thoshte se pasuria do t’u konfiskohej qeveritarëve e ish-qeveritarëve që dëshmohet se e kanë përfituar në kundërshtim me ligjin.
Në fund të vitit të kaluar, në një mbledhje të Qeverisë u prezantua projektligji për deklarimin e pasurisë me disa ndryshime. Në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklaronin pasurinë u shtuan mjekët dhe profesorët e universiteteve publike.
Po në dhjetor 2021 Qeveria e miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Krijimi i Byrosë ka për qëllim luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, zbatimi i tij në të ardhmen do të jetë në funksion të shtetit të së drejtës nga i cili buron edhe mirëqenia e qytetarëve”, thoshte kryeministri Albin Kurti.
Në shkurt të këtij viti, projektligji u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës. Me iniciativë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, projektligji iu dërgua Komisionit të Venecias për vlerësim. Ai ka abstenuar dy herë për këtë projektligj, ndërsa po pret që vërejtjet e Komisionit të Venecias të merren parasysh.
Projektligji parasheh që pasuria e zyrtarëve publikë të mbikëqyret nga pavarësia dhe periudhën brenda 10 vjetësh nga momenti kur ata nuk e ushtrojnë më funksionin e tyre.
Vërejtjet e mbuluara
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftonin në qershor se e kishin marrë vlerësimin e Komisionit të Venecias për koncept-dokumentin për vetting dhe për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshmë. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetikike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, shprehej Kurti në konferencë për media.
Pak ditë më pas, Komisioni i Venecias publikoi opinionin që ia kishte dërguar Qeverisë. Kurti dhe Haxhiu s’i kishin përmendur fare vërejtjet, e që ishin shumë, sidomos për Byronë.
Komisioni i Venecias konkludonte se pavarësisht qëllimit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, procedurat e konfiskimit civil pa bazë dënimi duhet të hartohen dhe implementohen në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane që lidhen me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Një qasje e tillë mund të jetë një mjet i vlefshëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të parandaluar shfrytëzimin e fondeve të fituara në mënyrë të paligjshme dhe për të parandaluar përdorimin e fondeve të tilla për veprimtari të mëtejshme kriminale. Në kontekstin e Kosovës, një masë e tillë mund të jetë e rëndësishme për sigurimin e bazës për zhvillimin ekonomik në vend. Në të njëjtën kohë, Komisioni i Venecias rikujton megjithatë se, pavarësisht nga qëllimi i tyre i justifikuar, procedurat e konfiskimit civil pa bazë dënimi duhet të hartohen dhe zbatohen në përputhje me Kushtetutën kombëtare, e cila përfshin zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duke marrë parasysh standardet evropiane në lidhje me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhej ndër tjerash në opinionin e Komisionit të Venecias.
Pasonin shumë vërejtje tjera dhe më pas disa rekomandime për Ministrinë e Drejtësisë.
Kurti interpretonte thjesht se Komisioni i Venecias kishte kërkuar zgjerim të kompetencave. Edhe për Haxhiun, Komisioni i Venecias thjesht i hapi rrugë reformës në drejtësi.
“Që të dyja këto nisma të rëndësishme janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias në seancën e djeshme [17 qershor] dhe tashmë kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vetting-ut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme”, shprehej Haxhiu.
Sipas ministres, ky projektligj nuk duhet të rishikohet komplet, por vetëm të merren parasysh vërejtjet, disa prej të cilave i cilëson si teknike.
Opozita: Projektligji i kundërligjshëm
Para miratimit të projektligjit, kryeministri Albin Kurti tha se janë të gatshëm që “të vazhdojë procesi i konsultimeve me të gjitha partitë”. Së fundmi ai i thirri përfaqësuesit e partive parlamentare për të biseduar rreth reformave në drejtësi, pasi në disa çështje aty nevojiten ndryshime kushtetuese që s’mund të bëhen pa opozitën.
“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, tha Kurti, duke shtuar se byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kërkoi gjithëpërfshirje.
“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirjen edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje… Ju, kryetar i Kuvendit, keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar këtu në Kuvend”, ka thënë ai, duke shtuar se është “vullnetar në verifikimin e pasurisë”.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se për reformën në drejtësi nevojitet konsensus politik.
“Konsensusin për reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm… mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, tha ai.
Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ishin darkorduar që pronësinë mbi vettingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.
“Nuk mund ta bëjë as vettingun e as këto ligje një parti”, tha Tahiri.
Për këtë projektligj, sot abstenoi edhe juristja e pozitës, deputetja Doarsa Kica.
Ky projektligj parasheh që të gjithë zyrtarët publikë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Konfiskimi i pasurisë do t’i prekë edhe anëtarët e familjeve të zyrtarëve dhe palëve të treta që nuk arrijnë ta arsyetojnë prejardhjen e pasurisë.