Të dielën e 17 tetorit, u mbajtën Zgjedhjet Lokale në 38 komuna të Kosovës. Nga gjithsej 38 komunat, 17 prej tyre vendosën qysh në raundin e parë.
Hani i Elezit ia besoi këtë komunë Mehmet Ballazhit të PDK-së, duke ia rrëmbyer kandidatit të pavarur, Refki Suma pas shumë mandateve.
Pas humbjes, Refki Suma u ankua në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kundër subjektit politik PDK-së për presion ndaj votuseve në Zgjedhjet Lokale të datës 17 tetor 2021.
PZAP mori vendim për rivotim në komunën e Hanit të Elezit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës reagoi ndaj këtij vendimi duke u ankuar në Gjykatën Supreme.
E gjatë ditës së hënë, Kolegji i Gjykatës Supreme ia ka aprovuar kërkesën e kandidatit të PDK-së në Han të Elezit, dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së për rivotim.
Ku edhe zyrtarisht, Mehmet Ballazhi, e fiton garën e komunës së Hanit të Elezit. Por pas kësaj, Gjykata Supreme e ka kthyer çështjen në rivendosje.
Lajmi.net ka kontaktuar me kryesuesin e sekretarit të PZAP-it, Mul Deskun, rreth mundësisë se kur mundet të vendoset për zgjedhjet në Han të Elezit, pas vendimit të Gjykatës Supreme për kthimin e çështjes në rivendosje?
Desku,u përgjigj se PZAP-it i duhet ta paraqes rastin brenda 72 orëve.
“Pas Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PZAP-i duhet ta rivendos rastin brenda 72 orëve, qe i bie deri me datën 28.10.2021”, u shprehë Desku.
Pas këtij veprimi, sipas Deskut palët e pakënaqura kanë të drejtë ta paraqesin përsëri në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve. Ku më pas Desku sqaroi se Gjykatës Supreme i duhet të vendos për ankesën brenda 72 orëve.
“Pas rivendosjes nga PZAP-i, palët e pakënaqura kanë të drejtë të paraqesin ankesë përsëri në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 24 orëve. Gjithashtu Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendos lidhur me ankesën e paraqitur kundër vendimit te PZAP-it brenda 72 orëve”, ka përfunduar ai.
Pas vendimit të së hënës Refki Suma, për lajmi.net u deklarua se vendimi i Gjykatës Supreme ishte vendim politik e jo procedural.
“Realisht, një herë në ankesën që e kemi ba në fillim PZAP-i ka marrë vendim në favor tonin, dhe i ka anulu zgjedhjet dhe ka obligu që të shkohet në rivotim, kundëraplikandantit ankesa në Gjykaten Supreme i’u ka miratu kjo ankesë dhe landën e kthen në rishqyrtim në përsëritje të PZAP-it , realisht për mu është e papranueshme se PZAP-i nuk ka qenë një organë i thjesht, dhe aty jane gjyqtarë që shqyrtojnë me zgjedhje. Mirëpo Gjykata Supreme e ka marrë një vendim të tillë që mu ma shumë më duket politik sesa vendim procedural por megjithatë është vendim që e ka marrë dhe duhet me respektu, dhe shohim se qfarë vendimi po merr PZAP-i”, ka thënë Suma për lajmi.net.