Kur Dardan Molliqaj ishte njëri nga zyrtarët më të lartë të Vetëvendosjes, kjo parti thoshte se pushteti policor po e arreston atë dhe kërkonte me ngulm lirimin e tij. Tani kur në pushtet është Vetëvendosje, ish-partia e Molliqajt, ai u arrestua sërish mbrëmë nga dhjetëra policë para ambienteve të Televizionit 7 teksa po bëhej gati të jepte intervistë në emisionin ‘Pressing’.
Në maj të 2015-ës, kur ish-sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj ishte arrestuar, Lëvizja Vetëvendosje akuzonte pushtetin e atëhershëm për përndjekje të qytetarëve në mbrojtje të shtetit të kapur.
Por nga VV-ja janë përkujdesur që komunikatat ku kërkonin lirimin e Molliqajt t’i fshijnë nga uebfaqja zyrtare e partisë.
Poashtu, në vitin 2016, VV e konsideronte pushtet policor qeverinë e Isa Mustafës kur kishte arrestuar Dardan Molliqajn, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Nuk ka dhunë që mund ta ndalë frontin e gjerë shoqëror të rezistencës që është ngritur kundër këtij regjimi. Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të të gjithë aktivistëve të tjerë që po mbahen të burgosur për shkak se kanë qenë në ballë të këtij fronti”, thuhej në komunikatën e VV-së të datës 18 shkurt 2016.
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, u arrestua mbrëmë para zyreve të Televizionit 7, ku ishte ftuar si mysafir në emisionin ‘Pressing’ për të diskutuar mbi protestën e mbajtur të shtunën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.