Friday, November 29, 2024
HomeLajmeKosovaKundërshtohet ndryshimi i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Asociacioni i Komunave të Kosovës...

Kundërshtohet ndryshimi i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Asociacioni i Komunave të Kosovës i dërgon letër Kurtit

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit e kryetarëve të komunave të Kosovës për të kuptuar arsyet e ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit mbi Zgjedhjet Lokale.

Express ka siguruar letrën nga burime të saja, ku thuhet se kryetarët e komunave kërkojnë të dinë arsyet e nisjes së ndryshimeve pa u konsultuar paraprakisht me akterët kryesor të qeverisjes lokale në vend, pra kryetarët e komunave.

Ndryshimi i këtyre dy akteve me rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal, nga Kryetarët e Komunave është vlerësuar si hap i ngutshëm.

Letra e plotë:

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar Ministër Krasniqi,

Asociacioni i Komunave të Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe pushteti lokal në Kosovë është informuara përmes mjeteve të informimit se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka iniciuar procedurat e plotësim-ndryshimit të dy ligjeve me shumë rëndësi për qeverisjen lokale, Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Kryetarët e Komunave kërkojnë të dinë më shumë për arsyet e nisjes së këtyre ndryshimeve pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale në Kosovë, Kryetarët e Komunave.

Ndryshimi i këtyre dy akteve me shumë rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal, nga Kryetarët e Komunave vlerësohet si hap i ngutshëm, sidomos kur kemi parasysh se ky është vit i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.

Asociacioni i Komunave të Kosovës rithekson gatishmërinë për të qenë pjesë e konsultimeve meritore në vlerësimin për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Për më tepër, procesi i amandamentimit të këtyre dy ligjeve duhet t’i paraprijë një konsultim më i gjerë dhe më përmbajtjesor meqë kemi të bëjmë më njërin nga dy nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe si i tillë ka rëndësi të madhe edhe për shërbimet ndaj qytetarëve, e të cilat në masë të madhe janë të determinuara edhe nga aktet që përçojnë këto dy ligje me rëndësi për pushtetin lokal në Kosovë.

Kryetarët e Komunave, përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe një herë shprehin gatishmërinë për t’u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë në mënyrë që veprimet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal të jenë të koordinuara e të dakorduara në kohë dhe më pajtimin e dy palëve.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe kërkojmë mirëkuptimin Tuaj!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments