Çdo vit përmes Merdares mijëra bashkatdhetarë vijnë në vendlindje. Ardhja e tyre tashmë ka filluar të vërehet, por për fatin e tyre të mirë, ende nuk kanë nisur pritjet e gjata në kufi.

Ata që hynë në Kosovë thonë se rruga për te familjarët ishte pa pengesa, për dallim nga vera.

“Në vijmë nga Shtutgarti i Gjermanisë, mirë kemi ardhur, kemi ardh përmes Sllovenisë, Kroacie edhe tani kemi  ardh në Serbi, këtu në Merdare tash, dmth ka qenë absolut shumë mirë, as s’ka pas pritje, as s’ka pas kolona. Nuk qëndrojmë gjatë vetëm dy javë pushim, një javë dojmë me nejt këtu, një javë me shku në Shqipni edhe mu kthy përmas”, tha për RTK-në mërgimtari Gazmend Avdimetaj.

Ai tha se kësaj radhe, për të hyrë në Kosovë procedura nuk zgjaste shumë, por ndryshe ishte në dalje.

Mërgimtarët thonë se pushimet përfunduan shpejt, por që prapë do të vijnë gjatë verës.

“Na jena ardh qe tri javë, shumë mirë kësi hovi ska pas guzhëm, kemi kalu shumë bukur, jom i knaqun. Të ndjekin ndjenjat, vendlindja, familja, dihet ku ke le qatye nin vetën gjithmonë, shko ku dush, vendi yt është vendi yt,familja është familje”, Eqrem Zhuniqi, bashkatdhetar.

“Po kismet kemi me ardh verës, me familje në gusht qatëherë, vijmë rrijmë, e kryjmë pushimin, kthehem tani”, tha Veton Qenaj, bashkatdhetar.

Ndryshe gjatë muajve të verës, pritjet nëpër pika kufitare janë disaorëshe dhe të gjata.