Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është rikthyer në Kosovë nga vizita që pati në ShBA. Megjithatë Ministria që ai drejton ende është në pushim.
Erdhi të kërkojë ndihmë për një operim.
Por, kur mbërriu para Ministrisë së Shëndetësisë, pa se dyert ishin të mbyllura.
Marian Gjugjaj udhëtoi nga fshati Petërshticë i Shtimes për të gjetur zgjidhje për krahun e tij i cili duhet operuar për shkak të gjendjes së rëndë tash e shtatë javë.
Pos këtij telashi, Gjugjaj është edhe invalid, e për këtë merr edhe ndihmë sociale.
Mosprezenca e ndonjërit prej zyrtarëve të Ministrisë e brengosi shumë, për çka edhe e pati ankesa.
Perdeve të ulura nëpër zyrat e këtij objekti nuk i përgjigjet prezenca e asnjë njeriu, pos anëtarëve të sigurimit që qëndrojnë në kabinën e tyre.
Kjo për shkak të pushimit të institucioneve me rastin e ditëve festive.
E, i pari i kësaj ministrie, i cili mori disa ditë pushim edhe më herët për një udhëtim në SHBA, ka konfirmuar për T7 se tashmë ndodhet në Kosovë.
Megjithatë, mungesa e tij disa ditë në Kosovë, po komentohet nga opozita.
Kritika për punën e këtij institucioni dhe mungesën e ministrit Rifat Latifi këto kohë pati anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie, Bekim Haxhiu.
Sipas tij, mungesa e Latifit gjatë kësaj periudhe është edhe më e paarsyeshme kur kihen parasysh problemet aktuale në shëndetësi.
Ministri Latifi ndodhej në Amerikë për arsye, sic thuhet, familjare nga data 29 dhjetor.
Gjatë kësaj kohe, ai e udhëhiqte Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë virtuale, siç pati njoftuar kryeministri i vendit, Albin Kurti.