Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, së bashku me shefin e Departamentit të Operacioneve dhe trajnimeve, kolonel Ejup Maqedonci, kanë pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë ekipin e pjesëtarëve të FSK-së së bashku me dy pjesëtarë të Gardës Ndërkombëtare të IOWA-s, të cilët përfunduan misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt krah ushtrisë amerikane.
Në fjalën e tij drejtuar pjesëtarëve gjeneral Cikaqi i përgëzoj pjesëtarët e FSK-së për gatishmërinë dhe u shpreh mjaft krenar për shërbimin që kanë bërë gjatë kësaj periudhe.
“Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj, e kuptoj qe ka qenë mjaft sfiduese për ju, por ju duhet të ndiheni krenar siç ndihemi edhe ne për ju, pasi ju u bëtë pjesë e historisë së vendit tonë dhe tani për misionet e radhës do jenë shumë më të lehta pasi do mësojmë nga eksperienca dhe vështirësitë në të cilat ju keni kaluar”, ka thënë Cikaqi.