Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka-Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Caka u takua me zëvendësndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së dhe këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.
Pasi që i shprehu falënderimin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës dhe zhvillimit institucional të saj ndër vite, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, Caka e ka njoftuar Sëartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese, thuhet në kumtesën e Kushtetueses.
Të dyja palët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektivë për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.
Gjatë qëndrimit në Washington, kryetarja Caka-Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.
Vizitën e saj në SHBA, kryetarja Caka-Nimani e filloi fillimjavën e kaluar me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame, në të cilën pjesëmarrës ishin gjyqtarë e kryetarë të gjykatave kushtetuese dhe supreme të shteteve anembanë botës, si dhe akademikë dhe ekspertë të shquar ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut.
Duke qenë njëra nga panelistet kryesore në konferencë, ajo bëri një prezantim të detajuar përkitazi me traditën kushtetuese të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në përputhje me parimet e mishëruara në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me ftesë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit Notre Dame, Caka gjithashtu mbajti edhe ligjëratë mbi historikun dhe traditën kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.