Sunday, November 24, 2024
HomeTop LajmetKryeministri Kurti iu ankua edhe Josep Borellit se Hoti nuk ia ka...

Kryeministri Kurti iu ankua edhe Josep Borellit se Hoti nuk ia ka dhënë dosjet e dialogut

Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit që ka pasur në fund të muajit të kaluar me kryediplomatin evropian, Josep Borell i ka thënë këtij të fundit se qeveria e Avdullah Hotit nuk e ka informuar për procesin e dialogut me Serbinë dhe i duhet kohë për t’u përgatitur.

Shefi i diplomacisë evropiane në konferencën e djeshme për media pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, tha se nuk mund të shkohet në pushimin e verës pa rifilluar bisedimet Kosovë-Serbi.

“Herën e fundit që kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, atyre u duhet kohë për t’u përgatitur, ata pretendojnë se qeveria në ikje nuk i informoi ata për situatën e bisedimeve të mëparshme, se sapo kanë ardhur, se duhet të studiojnë me kujdes dosjen. E kuptoj, por në të njëjtën kohë nuk mund të shkojmë me pushime pa i rifilluar bisedimet. Më në fund, kemi rënë dakord që para takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që është pak a shumë më 20 qershor, para Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Qershor, do të duhet të kemi përsëri këtë takim. Dhe shpresoj se ata i kanë të gjitha informacionet e kërkuara, ne mund t’i sigurojmë nëse nuk i kanë, në mënyrë që të vijnë në Bruksel të përgatitur mirë”, ka thënë Borell para mediave.

Ndërkaq zëvendësi i Kurti Besnik Bislimi, në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme ka thënë se nuk e kanë marrë dosjen e plotë për dialogun me Serbinë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Bislimi, ndër tjerash, ka treguar se kanë kërkuar edhe në katet e tjera të Qeverisë nëse janë fshehur dokumente të tilla

“Çfarë interesi kam interes me thënë s’kam informata për dialogun”, tha Bislimi.

“Ne kemi dërgu edhe asistenten edhe shefen e kabinetit të kryeministrit , kemi kërkuar në cep të katit dyte dhe të tretë mos rastësisht u fsheh ndonjë dosje”, theksoi ai.

Borell ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se u duhet përparim lidhur me këtë proces.

“Na duhet përparim në liberalizimin e vizave për Kosovën, ua kërkojmë shteteve anëtare”, tha Borell.

Borrell njoftoi se javën e ardhshme do të organizojë një darkë tradicionale për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

“Në darkë, ne do të diskutojmë të gjithë situatën politike në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor është një problem i madh gjeopolitik. Rajoni është pjesë e problemit dhe pjesë e zgjidhjes. Ne duhet ta shohim atë nga një këndvështrim gjeopolitik, dhe ne do ta bëjmë atë javën e ardhshme me të gjithë liderët nga Ballkani Perëndimor”, tha ai

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments