Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pritur në zyrën e tij në Qeveri teologun nga Shqipëria, Elvis Naçi. Së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, Kurti i ka pritur në zyrë Naçin dhe bashkëpunëtorët e tij, Ilir Haxhollin, Sylejman Rrahmanin e Lulzim Ramën.
Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se është vendosur gurthemeli i ndërtimit të një lagjeje të re në Podujevë, të cilin do ta financojë fondacioni i Elvis Naçit, “Shqiptarët për shqiptarët”.
“Në praninë e kryetarit Bulliqi, z.Naçi, qytetarëve të Komunës së Podujevës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e udhëheqësve fetarë lokal, dje u vendos gurthemeli i ndërtimit të lagjes së re në Podujevë ku do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura përcjellëse për familjet në nevojë të kësaj komune. Ky projekt humanitar me vlerë prej 1 milion euro, po mundësohet nga fondacioni “Shqiptarët për shqiptarët””, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Kurti, siç njoftohet, e ka falenderuar Naçin për kontributin, duke thënë se “Shoqëria jonë shquhet për vlera dhe karakterin humanist”.
“Çdo gjeneratë ka pasur në mesin e tyre veprimtarë humanistë që kanë marrë përsipër misione fisnike për t’i dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.
Sipas ZKM-së, ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij, shoqatat dhe veprimtarët humanistë do të bashkëpunojnë me institucionet për të plotësuar, e jo zëvendësuar njëra-tjetrën drejt qëllimit për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.