Presidentja Vjosa Osmani u është kundërpërgjigjur kritikave të Komisionit Evropian, në Raportin pë Kosovën për shkarkimin e ish-kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Osmani tha se pas shkarkimit të Dakës nga KQZ-ja, në këtë institucion ka pasur zhvillime pozitive.
Presidentja tha se e kundërshton pretendimin se ajo nuk është bazuar në Ligjin për Presidenten e Republikës së Kosovës, gjatë marrjes së vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës nga KQZ-ja.
“Këtë deklaratë preliminare e kundërshtojë konstatimin në njërën nga fusnotat e kësaj deklarate përmes së cilës tentohet që t’i jepet konotacion plotësisht politik ndërprerjes së mandatit të ish-kryesueses së KQZ-së, në muajin qershor të këtij viti. Problema i parë qëndron në faktin se ndërprerja e këtij mandate nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor të 17 tetorit. Pra, edhe vëzhgimi i një veprimi të tillë që është bërë para se të shpallen zgjedhjet e 17 tetorit është plotësisht jashtë mandatit të këtij ekipi Teknik s ai përket konstatimeve preliminare”, deklaroi presidentja.
Më tutje, ajo tha se interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetencë e gjykatave dhe jo e misioneve.
“Siç vërehet në raport ka pasur përmirësim të dukshëm të punës së KQZ-së, dhe zgjedhjet kanë qenë të organizuara në mënyrë të shkëlqyeshme nga udhëheqja e tanishme e KQZ-së. Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetencë e gjykatave kompetente, jo e misioneve, që të japin deklarata dhe konkluzione të tillë. Legjislacioni në fuqi parasheh se presidentja është autoriteti kompetent për ta emëruar kryesuesen e KQZ-së dhe autoriteti kompetent për ndërprerjen e mandatit”, ka thënë ajo.
Osmani u përgjigj edhe për deklaratat se kjo çështje mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mua nuk do të mund të më zmbraps askush me kërcënime për dërgim në Gjykatën Kushtetuese. Sa për mua le të më dërgojnë çdo ditë në Gjykatën Kushtetuese për nga një rast”, tha ajo.