Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të targave të makinave dhe një operacion i policisë së Kosovës për konfiskimin e mallrave të kontrabanduara, që çuan në protesta në veriun e banuar me shumicë serbe, dominuan debatin e së premtes për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, tha se, institucionet e Kosovës po ndërmarrin veprime të njëanshme dhe nuk po zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Ndërhyrja e njësive të policisë më 13 tetor është ndërhyrja e nëntë me radhë dhe kjo duhet të marrë fund”, tha ai, duke nënvizuar se lufta kundër krimit është përdorur në mënyrë cinike për të ndërhyrë në veri dhe se qëllimi i Prishtinës është provokimi i serbëve, frikësimi i tyre si dhe provokimi i Beogradit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje për t’i dhënë fund misionit të UNMIK-ut, të cilin e kritikoi për qëndrimin e tij kundrejt veprimeve të institucioneve të Kosovës të cilat sipas shefit të këtij misioni ishin të njëanshme.
Presidentja Osmani tha se bisedimet me Serbinë nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë për statusin e Kosovës, duke i bërë thirrje Beogradit që të njohë realitetin e Kosovës së pavarur.
“Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre”, tha presidentja Osmani, duke shpjeguar se operacioni i 13 tetorit ishte i drejtuar kundër krimit dhe kontrabandës dhe se shumica e të arrestuarve ishin shqiptarë.
Ajo tërhoqi vëmendjen tek siç tha retorika e Beogradit e cila është e ngjashme me atë të periudhës së luftës në Kosovë.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tryezën e bisedimeve, por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në bisedimeve ku qëllimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë. Nuk është qëllimi i këtyre bisedimeve që të shpëtojnë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, tha presidentja Osmani.
Këshilli i Sigurimit arriti një marrëveshje në vitin 2019 që të mbahen nga dy takime në vit për Kosovën, një në muajin prill dhe një në muajin tetor, ndonëse fuqitë perëndimore po kërkojnë shmangien e tij dhe përmbylljen e misionit të UNMIK-ut.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara tha se UNMIK-u “nuk ka luajtur ndonjë rol thelbësor për zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Ulja e tensioneve përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij”.