Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka vizituar kandidatin e këtij subjekti politik për kryetar të komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizin.
Krasniqi ka thënë se rikthimi i PDK-së në Vushtrri është shpresë për qytetarët që duan qeverisje zhvillimore e të përgjegjshme.
Krasniqi shkruan se Vushtrria e PDK-ja kanë qenë gjithmonë bashkë, ndërsa shprehet se Ferit Idrizi dhe qytetarët e Vushtrrisë do të bashkëqeverisin.
“Rikthimi ynë në Vushtrri është shpresë për qytetarët e kësaj komune, që duan një qeverisje zhvillimore e transformuese, të përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, atë që Ferit Idrizi e ka për mision t’ua ofrojë. Vushtrria dhe PDK-ja kanë qenë bashkë gjithmonë, e Feriti dhe qytetarët e Vushtrrisë do të bashkëqeverisin, për ta çliruar potencialin shumë dimensional të kësaj komune, për të gjithë e në dobi të të gjithëve pa dallim. Feriti ka besim në qytetarët e Vushtrrisë dhe së bashku me ta do ta përmbyllë balotazhin me fitore, për Vushtrrinë dhe të ardhmen e qytetarëve të saj. Thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë Vushtrriasve, për kulturën e lartë politike dhe për besimin në Partinë Demokratike të Kosovës.”, shkruan Krasniqi.
PDK ka dalë e para në Vushtrri ndaj LDK-së dhe gara do të zhvillohet në balotazh mes këtyre dy subjekteve.