Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në 24 vjetorin e rënies së Ilaz Kodrës ka vizituar familjen e komandantit në kullën në Prekaz.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi tha se Ilaz Kodra ishte ndër të parët, që bashkë me komandantin Adem Jashari e shokët e tyre të idealit, i dhanë jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ilaz Kodra, bashkë me mijëra djem e vajza të UÇK-së, që u flijuan për liri, janë themeli mbi të cilin qëndron liria jonë dhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Familja Kodra, Prekazi, Kosova, shqiptarët gjithandej nëpër botë – do të jenë përjetësisht krenarë me komandant Ilaz Kodrën”, tha kreu i PDK-së.
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt organizuan homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodrës, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.