“Konsideroj që tema për të cilën jemi mbledhur, përkundër këtij joserioziteti që po e tregoni, është e rëndësishme për qytetarët. Ka dyshime për keqpërdorime marramendëse, të cilat s’janë të papritura në sektorin e energjisë. Janë befasuese sjelljet e shumicës qeverisëse, kryeministrit në veçanti, në çdo vend demokratik normal në momentin kur është bërë publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë”.
Krasniqi tha se pas lajmit për arrestimin e kryeshefit të KEK’ut është dashur që kryeministri Kurti ta shkarkojë atë, raporton Express.
“Një kryeministër normal do të duhet të kërkojë shkarkimin imediat të bordit dhe kryeshefit pa e paragjykuar fajësinë e tij. Hera e parë që ndodh diçka e tillë. Pa opozitën, duke i ikur debatit fillimisht, lë që e mbron shokun e bashkëpartiakun e tij, të famshmin Nagip Kransiqi, por e sulmon dhe shantazhon, duke i kërcënuar me emra prokurorët”.
Krasniqi komentoi edhe “mbrojtjen e Nagip Krasniqit nga kryeministri”.
“Duke thënë burri i mirë, ai nashta është i mirë te shtëpia e vet, në akraba, por atje [KEK] s’është për të qenë burrë i mirë, por është t’i respektoj rregullat. Po flasim për dyshime të keqpërdorimit të mbi 70 mln euro”.
Ai tha se është vazhdim i aferave dhe skandaleve të Qeverisë Kurti.
“Të gjitha këto bashkë shpërfaqin dy gjëra: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë dhe keqpërdorimit të sistemit absolut që e ka instaluar në këtë sektor; Qytetarët jetojnë më keq, sepse me këto para ka pasë mundësi të bëhen përmirësime në shumë sektorë. Por, në vend se me zgjedhe t’ia përmirësojnë jetën e qytetarëve, kanë zgjedhur t’ia përmirësojnë vetes dhe t’i mbushin xhepat e disave”.
Krasniqi tha se dëmi është i madh dhe i pariparueshëm, derisa tha se nuk është për t’u habitur që “qytetarët po e lëshojnë vendin”.