Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është një sinjal shumë i keq për komunitetet jo shumicë.
Krasniqi ka thënë se me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera jo shumicë në Kosovë, si ai rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë.
“Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përfitojnë veçanërisht komunitetet jo shumicë. Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet jo shumicë në Kosovë. Së pari, Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës. Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër.Së dyti, me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera jo shumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”, ka shkruar në Facebook.