1 Qershori njihet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Kësisoj ngjashëm edhe në Kosovë thuajse të gjithë politikanët folën për rëndësinë e një jete më të mirë për fëmijët.
Shumë prej tyre theksuan se fëmijët janë e ardhmja dhe se atyre u duhet siguruar një të ardhme sa më të ndritshme.
Por është pikërisht Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës i cili ua ka përkujtuar politikanëve kosovarë që në fakt nuk anë bërë asgjë për fëmijët.
Krasniqi theksoi se “fëmijët e ardhmja jonë” është klishe që po dëgjohet nga shumica e politikanëve, e këtë më së miri e shpërfaq dështimi i tyre për të ndërtuar një spital për ta.
“Se sa janë “fëmijët e ardhmja jonë”, klishe kjo që po e dëgjojmë sot nga shumica e politikanëve, më së miri e shpërfaq dështimi i tyre për të ndërtuar një spital për fëmijët. Është dashur të pritet për 20 vite, që Presidentja Jahjaga të sigurojë një donacion prej Emirateve të Bashkuara Arabe, për të nisur ndërtimin e spitalit të ri pediatrik. Për vetëm 22 milionë euro sa është vlera e këtij investimi, ky do të jetë spitali me teknologjinë më të avancuar në rajon. Kaq nuk kanë qenë në gjendje t’i ndajnë për shëndetin e fëmijëve, kur miliona të tjerë i kanë keqpërdorur çdo ditë!”, tha ai.
Tutje Albert Krasniqit tha se në vend të urimit, duhet një kërkim falje.
“Të mos flasim për rrezikun që fëmijët kanë çdo ditë nga qentë endacak, për nevojën që të kryejnë punë të rënda fizike, të shndërrohen në lypës për të siguruar jetesën apo për cilësinë e dobët në arsim. Prandaj në vend të urimit për ditën ndërkombëtare të fëmijëve, duhet një kërkim falje!”, shtoi ai.