Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaKQZ’ja kërkon nga Qeveria pezullimin e orës policore për të shtunën dhe...

KQZ’ja kërkon nga Qeveria pezullimin e orës policore për të shtunën dhe të dielën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e kufizimit të lëvizjes për të shtunën dhe të dielën.

Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka thënë se kërkesa për heqjes së orës policore për 48 orë, është kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së.

Teksa ka folur për këtë kërkesë, Elezi shpreson se Qeveria do t’iu miratojë këtë kërkesë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe me qëllim të kryerjes së detyrave gjatë procesit të votimit, do të jenë të angazhuar rreth 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimit si dhe rreth 25 mijë vëzhgues do të jenë prezentë në vendvotime për të parë nga afër procesin e votimit. Prandaj për të mundësuar kryerjen e detyrave zyrtare dhe duke qenë të vetëdijshëm për masat kufizuese, që përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit, KQZ-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës më datë 16 dhe 17 tetor”.

“Gjatë mbledhjes së fundit që është mbajtur në KQZ, në mënyrë unanime anëtarët e KQZ-së kanë shprehur besimin se pezullimi i kufizimit të lëvizjes gjatë kësaj fundjave do t’i shërbente krijimit të një atmosfere pozitive për qytetarët e Kosovës”, tha Elezi.

Tutje Elezi ka thënë se duke pasur parasysh që janë mijëra persona të angazhuar në këtë proces zgjedhor, largimi i orës policore do ta ndihmonte shumë këtë proces, pasi sipas tij, trupat zgjedhore mund të mbesin edhe pas orës 22:00 në vendvotime.

“Sigurisht duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me mijëra persona që do të angazhohen dhe kanë rol aktiv në proces zgjedhor, e që pjesa më e madhe e tyre mund të jenë në vendvotime për të parë procesin e numërimit të fletëvotimeve që mund të shkojë përtej kohës kur fillon kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, atëherë besojmë që kjo do t’i ndihmonte KQZ-së dhe trupave zgjedhore që ta kryejnë detyrën e tyre zyrtare”, tha Elezi për EO.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments