
Nuk ka ndodhur kurrë më parë që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mos shpallen as një muaj pas ditës së zgjedhjeve.
Por, kjo po ndodhë me zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Pas numërimit të stërzgjatur të votave të kandidatëve për deputetë dhe numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, votave me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, KQZ-së ka gjetur edhe një arsye tjetër për të mos shpallur rezultatet përfundimtare.
Gazeta Express mëson se kjo arsye do të trajtohet në një mbledhje të thirrur më 10 mars (sot).
Ajo ka të bëjë me një rekomandim të Qendrës e Numërimit dhe Rezultatave.
Siç merret vesh, ky rekomandim kërkon që të lejohet hapja e 15 kutive të votimit për shkak se siç thuhet “pas pranimit të rezultateve nga Qendrat Komunale të Numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe krahasimit të statistikave kemi hasur në 15 vendvotime dhe mos përputhjen e numrimit të nënshkrimeve në LPV me numrin e fletëvotimeve brenda në kuti”.
Sipas QNR, hapja e këtyre kutive ka për qëllim verifikimin e gjendjes reale brenda tyre.
Përveç kësaj, KQZ-së për shpallje të rezultateve do t’i duhet të presë nëse në Gjykatën Supreme do të paraqitet ndonjë ankesë ndaj vendimeve të PZAP-it.
Ky institucion( PZAP), të dielën ka hedhur poshtë kërkesën e Vetëvendosjes për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve nga votimi me postë dhe organizimin e rivotimit.
Por, PZAP ka miratuar kërkesën tjetër të këtij subjekti politik për të hapur 177 kuti të votimit me vota nga votimi me postë, për të rinumëruar 1,631 fletëvotimet e pavlefshme.