Në një konferencë për media të shtunën, Kurti kritikoi KPK-në duke thënë se as nuk ka njoftuar publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Kosovës. “Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”, ka thënë ai.
E KPK-ja ka reaguar pasdite duke thënë se është “kompetente dhe është gjithmonë në dispozicion për të ndarë informacionin e nevojshëm me publikun dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, duke pasur parasysh gjithnjë parimet e mbrojtjes së informacionit dhe hetimeve aktuale”.
“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia. Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale”, thuhet në reagim.
KPK-ja ka dënuar “keqpërdorimin e fjalës së lirë” nga Kurti duke thënë se sistemi prokurorial nuk ndikohet nga deklaratat politike e se do t’i shkojë deri në fund çdo rasti.